75 Mall Live Search
14:36 / E Hënë, 07 Shkurt 2022 / MSH

Izraeli nis hetimin mbi dyshimet për hakim dhe përgjim të telefonave

Qeveria e Izraelit do të ngrejë një komision hetimor për të shqyrtuar dyshimet se policia ka përdorur “spyware” për të hakuar telefonat e figurave publike izraelite.

Ky spijunim dyshohet të jetë bërë pa autorizim, raporton BBC.

Zyrtarë, protestues, gazetarë dhe djali i ish-kryeministrit Benjamin Netanyahu, u vunë në shënjestër pa autorizim, shkruan gazeta izraelite Calcalist.

Madje, dyshohet se është hakuar edhe telefoni i një dëshmitari në gjyqin e Netanyahut.

Kryeministri Naftali Bennett tha se kjo gjë është shumë serioze, nëse është e vërtetë.

Raportet thonë se policia përdori softuerin Pegasus, të prodhuar nga NSO, një firmë izraelite përgjimi. 

NSO është përballur me akuza të përhapura se produkti është shitur dhe keqpërdorur nga qeveritë autoritare në mbarë botën.

Kompania ka këmbëngulur që nuk e operon softuerin pasi t’u shitet klientëve dhe kishte deklaruar edhe më parë se nuk mund të përdoret për të gjurmuar qytetarët izraelitë.

Pegasus “infekton” telefonat, duke lejuar operatorët të nxjerrin mesazhe, foto dhe email, të regjistrojnë telefonata dhe të aktivizojnë fshehurazi mikrofonat dhe kamerat.