75 Mall Live Search
12:14 / E Enjte, 10 Shkurt 2022 / AR

Ikja e mjekëve nga Kosova, çfarë po ndërmerr MSH për t’i parandaluar?

Ikja e mjekëve jashtë vendit vazhdon të jetë shqetësuse, ndërkohë që për Ministrinë e Shëndetësisë të Kosovës është “një fenomen që ndodh edhe brenda vet shteteve të Evropës”.

Në një përgjigje për Indeksonline, MSH paralajmëron se edhe në të ardhmen mund të priten lëvizje të tilla për aq kohë sa nuk ka përmirësime të ndjeshme, si në cilësinë e studimeve, edukimit profesional dhe pagave të punonjësve shëndetësor.

Pyetur se çfarë janë duke ndërmarrë për të parandaluar ikjen e mjekëve, Ministria e Shëndetësisë njofton:

“Gjate pandemisë MSh, me qellim te rritjes se kapaciteteve profesionale, MSh ka angazhuar në punë një numër të madh të mjekëve, duke bërë dy veprime njëkohësisht: punësimin e tyre dhe fuqizimin e kapaciteteve të vendit në ballafaqimin me COVID-19.

Gjithashtu, janë dhënë edhe rreth 1500 specializime, për të ju mundësuar profesionistëve shënjestër edukimin specialistik ne fusha te ndryshme.

Por, me qellim që ky proces të jetë me standarde që garantojnë cilësi të programeve, procesi i specializimeve do të transformohet edhe përmes ndryshimeve në kornizën ligjore që ka të bëjë me specializimet.

Përveç angazhimeve të mjekëve në punë në nivel qendror, janë ndihmuar edhe komunat që të punësojnë mjekë të rinj, me qëllim të sigurimit të shërbimeve të sigurta dhe cilësore, por edhe specialistët të ushtrojnë profesionin e tyre”.

Ata deklarohen se ministri Rifat Latifi ka prioritet krijimin e mundësive që mjekët kosovarë që jetojnë jashtë të kenë një ndërlidhje më të mirë me atdheun e tyre dhe t’u mundësohet kontributi këtu, ndërsa mjekëve kosovarë, t’u krijohen lidhje dhe mundësi të ngritjes profesionale edhe jashtë vendit.

“Pra, orientimi është krijimi i një mjedisi të qëndrueshëm profesional, ku mjekët e rinj specializojnë dhe e gjejnë veten në Kosovë si në rrafshin profesional ashtu edhe në atë financiar, duke ndryshuar Ligjin e pagave ku profesionistët shëndetësor do të paguhen më mirë, por edhe programet e studimeve, specializimeve dhe të ngritjes profesionale

Prandaj, Ministri Latifi e ka deklaruar ketë si një prioritet të larte, duke qenë që vjen nga fusha përkatëse dhe vet ka qenë prej atyre qenë një moment te karrierës se tij ka shkuar jashtë vendit, për t’u kthyer tani për të kontribuar.

Kjo, nënkupton një strategji me afatgjate dhe me te qëndrueshme për ndryshimin e gjendjes”, njofton MSH./Indeksonline/