75 Mall Live Search
14:16 / E Enjte, 10 Shkurt 2022 / k.v

Konfiskohen mbi 90 kg drogë afër Podujevës, një i arrestuar e tre në kërkim (Foto)

Operacioni i koduar me emrin “Kamera” ka rezultuar me konfiskimin e 91 kg mariuhanë në fshatin Konoshevc të Podujevës.

Policia ka arrestuar një 55-vjeçar, me inicialet F.M., nga ky fshat ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim dhe janë të njohur për policinë.

Droga e konfiskuar në një automjet është ekspozuar para gazetarëve ndërsa hetuesit kanë dhënë disa detaje nga ky operacion.

Sipas policisë, hetimet përkitazi me këtë rast kanë nisur muaj më parë në bashkëpunim me policinë e Prizrenit ndërsa operacioni u zhvillua të mërkurën rreth orës 08 e 20 minuta.

Policia ka përcjell një veturë të dyshimtë, ndërsa drejtuesi i saj nuk ka zbatuar urdhrin për ndalim dhe në ikje e sipër ka goditur një zyrtar policor duke i shkaktuar lëndime trupore.

Policia në këtë rast ka përdor edhe armën zyrtare, por pa shkaktuar pasoja.

Janë bastisur disa lokacione në Dragash dhe Podujevë ku janë konfiskuar edhe prova tjera në lidhje me rastin./IndeksOnline/