Britania e Madhe: Rusia të reduktojë retorikën e Luftës së Ftohtë

Një pushtim rus i Ukrainës do të ishte katastrofë, paralajmëroi ministrja e Jashtme britanike Liz Truss homologun e saj në Moskë, ndërsa aktiviteti diplomatik intensifikohet për të zbutur krizën.
Kryeministri Boris Johnson shkoi në Bruksel për bisedime me shefin e NATO-s përpara se të udhëtonte në Poloni për të ofruar mbështetje për aleatët e Evropës Lindore, raporton atsh.
Britania e Madhe ka vënë në gatishmëri 1 mijw trupa në rast të një krize humanitare në lindje dhe nëse trajnimi aktual ushtarak rus çon në luftë.
Ministrja e Jashtme britanike ka shfrytëzuar një takimin me homologun e saj rus, Sergei Lavrov për t’i kërkuar Rusisë të braktisë “retorikën e Luftës së Ftohtë” dhe të shmangë luftën.
“Realiteti është se ne nuk mund të injorojmë grumbullimin e mbi 100 000 trupave në kufirin ukrainas dhe përpjekjet për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, theksoi ajo.
”Në thelb, një luftë në Ukrainë do të ishte katastrofike për popullin rus dhe ukrainas dhe për sigurinë evropiane. NATO e ka bërë të qartë se çdo sulm në Ukrainë do të kishte pasoja të mëdha dhe kosto të larta”, shtoi Truss.
Truss i kërkoi administratës së Vladimir Putinit të respektojë memorandumin e Budapestit, të nënshkruara në vitin 1994, i cili u firmos nga Britania e Madhe, SHBA dhe Rusia për respektimin e pavarësisë së Ukrainës.
Zyrtarët britanikë kanë paralajmëruar se çdo sulm i mëtejshëm i Rusisë në Ukrainë do të ishte një “katastrofë humanitare” që do të çonte në zhvendosje masive të njerëzve, veçanërisht duke prekur vende të tilla si Polonia dhe Lituania.