Aksidenti me eskortën e Ramës, gjykata lë në burg drejtuesin e mjetit
Gjykata e Korçës ka lënë në burg Spiro Naçin, drejtuesin e mjetit që akuzohet se shkaktoi aksidentin ku u përfshi eskorta e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe mbetën të plagosur tre gardistë.
Gjykata e Shkallës së Parë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për 29-vjeçarin duke dhënë masën “arrest me burg”.
Në dëshminë e tij Naçi i ka kërkuar ndjesë Gardës, duke thënë se aksidenti ishte shkaktuar pa dashje. “Iu kërkoj ndjesë Gardës se pa dashje i kam shkaktuar shqetësim. Ndjesë i kërkoj edhe familjes time që i kam shqetësuar”, tha Naçi. Më tej ai deklaron se aty lejohej parakalimi pasi vijat e bardha në rrugë ishin të ndara.
Makinat e përfshira në aksident kanë qenë një “Honday” dhe një “Mitsubishi” me targa të Ministrisë së Brendshme MB 277 AA.
Ka qenë fillimisht “Mitsubishi” i cili ka goditur dy automjete, “Range Rover” dhe “Golf 2” AA 426 FD në emër të Aleksandër Naçi, të cilat udhëtonin në sensin e kundërt, ndërsa më pas në aksident është përfshirë edhe “Honday” e eskortës së Ramës, e cila ka përfunduar në kanal, pasi ka kapërcyer barrierat mbrojtëse të rrugës.
Tre punonjës të Gardës, Ervin Musai, Klodian Llaka dhe Shkëlqim Pojana (shofer) kanë mbetur të lënduar si dhe dy persona të tjerë të cilët ndodheshin në automjetin “Golf”.