75 Mall Live Search
16:38 / E Enjte, 30 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Riatdhesimi i kosovarëve që shkuan në Siri, nuk nënkupton faljen e tyre!

Kthimi i luftëtarëve kosovarë nga Siria në Kosovë, nuk nënkupton faljen e tyre, meqë këta persona duhet të përballen me ligjet dhe gjykatat ekzistuese për veprën e tyre. Kështu ka deklaruar për “Indeksonline” eksperti i sigurisë, Agim Musliu.

Sipas tij, institucionet kosovare nuk kanë ndërmarrë pothuajse asgjë sa i përket kategorisë së këtyre personave, duke mos krijuar planprograme për resocializimin dhe deradikalizimin e tyre.

“Të shkuarit, pjesëmarrësit në luftë në Siri, Irak e gjetiu jashtë kufijve të Kosovës mund të kthehen në Kosovë me vetdashje apo mund të strehohen në ndonjë vend të tretë, ku rrezikojnë të gjenden nga policia vendase dhe të deportohen në Kosovë. Kjo nuk nënkupton faljen e veprës e cila është e sanksionuar me ligj në Kosovë që nga viti 2014. Të gjithë ata që kthehen nga këto vende do përballen me ligjet pozitive të Kosovës dhe me gjykatat e saj, për shkak të veprimtarisë së paligjshme për pjesëmarrje në lufta jashtë Kosovës”, ka thënë Musliu.

Ai ka deklaruar se kthimi i kosovarëve nga Siria në Kosovë nuk do të ishte problem nëse do të ndërmerreshin të gjitha veprimet për deradikalizim dhe resocializim. Në të kundërtën, kthimi i këtyre personave mund të jetë problematik meqë do të mund të izoloheshin dhe përbuzeshin nga shoqëria.

“Kthimi i këtyre personave nuk mund të jetë ndonjë problem i madh për Kosovën, nëse i vëmë në funksion potencialet vepruese në aspektin e de/radikalizimit dhe re/socializimit, përndryshe mund të ndodhë që këta persona pas vuajtjes së dënimit të stigmatizohen, izolohen, përbuzen, etj, nga shoqëria dhe në këtë mënyrë rrezikohet recivilizimi i tyre. Në aspektin e sigurisë, këta persona vëzhgohen e vizitohen në mënyrë periodike nga segmenti i sigurise edhe pas vuajtjes së dënimit, por kjo është e tëra, sepse segmenti i sigurisë nuk mund t bëjë realisht më shumë asgjë”, ka deklaruar Musliu.

Tutje, Musliu ka komentuar deklaratën e kryeministrit Ramush Haradinaj i cili ka thënë se kosovarët e shkuar në Siri mund të riatdhesohen.

Lidhur me këtë, Musliu është shprehur se mungon iniciativa për t`u marrë me këtë gjë, anipse kabineti i kryeministrit e prekë këtë temë vetëm në pika të shkurtra.

“Kjo temë preket vetëm në strategjinë kundër terrorimit nga kabineti i kryeministrit në pika të shkurtra, por vetëm aq, pa iniciativë. Po deshëm të punojmë në deradikalizim dhe resocializim, këtu hynë një mori faktorësh në këtë drejtim si: familja, shoqëria, lagjja, shkolla, mësuesit/arsimtarët, pedagogët/sociologët, këshillat e lagjes, policimi në komunitet, OJQ-të e ndryshme,mediat, bizneset, punësimi, etj. Secili nga këta akterë ndërlidhet me organizimin përkatës, por që fatkeqësisht kjo gjë ende lë për të dëshiruar”, ka thënë Musliu.

Ai është shprehur se akterët që duhet krijuar planprograme për këtë kategori të personave janë Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e FSK-së, Ministria e Arsimit, si dhe Ministria e Kulturës./Indeksonline/