Presidentja Osmani sërish bën thirrje të vaksinoheni kundër COVID-19

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje sërish që qytetarët të vaksinohen kundër COVID-19, në momentin kur ka falënderuar SHBA-së për vaksinat që kanë ardhur sot.
“Sikurse më 1999, ShBA-të sërish janë krah nesh. Atëherë na shpëtuan nga vdekja prej luftës, sot nga virusi Covid dhe të gjitha variantet e tij. Sot pranuam sasinë prej mbi 515 mijë vaksinash Pfizer, që në total e dërgon në mbi 1 milion vaksina donacionin nga Presidenti Biden. Duhet ta përsërisim çdo ditë se vaksinat shpëtojnë jetë. Kjo është masa më e mirë mbrojtëse, prandaj duhet të vaksinohet secili për ta shmangur rrezikun fatal nga virusi”, shkroi Osmani në Facebook.
Kosova sot ka pranuar 515,970 doza të vaksinës Pfizer, që janë siguruar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Bide
Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Rifat Latifi, falënderoi SHBA-në për këtë donacion, që në Kosovë erdhi përmes mekanizmit COVAX, që udhëhiqet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
“Dita e sotme është një moment i rëndësishëm për të rikujtuar se përkundër humbjeve dhe vuajtjeve të mëdha që pandemia COVID-19 u ka shkaktuar popujve anembanë botës, kanë zbuluar edhe vlerat më të mëdha që kanë popujt, siç janë solidariteti dhe mbështetja në njëri-tjetrin, duke krijuar një aleancë të fuqishme njerëzore. Një aleancë e tillë është edhe kjo e organizuar përmes mekanizmit COVAX, që e ka bërë luftën tonë kundër COVID-19 definitivisht më të lehtë”, tha Latifi në ceremoninë për pranimin e vaksinave në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.