Policia jep detaje për arrestimin e 13 aktivistëve të PSD-së

Policia e Kosovës ka reaguar pas arrestimit të zyrtarëve të PSD-së në zyrat e ZRRE-së.
Policia thotë se arrestimi i 13 personave është bërë për shkak të pengimit në punë personave zyrtar në kryerje të detyrës.
“Duke parë që kanë dështuar të gjitha përpjekjet tjera, në përputhje me autorizimet policore dhe urdhrin e prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 nga ta dhe aktualisht po vijon ndërmarrja e veprimeve në këtë fazë preliminare hetimore”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
Për pengim të personave zyrtar në kryerje të detyrës, arrestohen 13 persona
Prishtinë, 14 shkurt 2022 – Sot rreth orës 15:00, në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë, saktësisht në objektin e ZRrE-së, me urdhër të prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 persona.
Megjithëse policia vazhdimisht u ka bërë thirrje që të dalin nga objekti dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre, duke mos penguar zyrtarët e institucionit në fjalë, të njëjtit nuk janë bindur.
Duke parë që kanë dështuar të gjitha përpjekjet tjera, në përputhje me autorizimet policore dhe urdhrin e prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 nga ta dhe aktualisht po vijon ndërmarrja e veprimeve në këtë fazë preliminare hetimore.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, konform rekomandimit të prokurorit të shtetit për cilësimin e veprës për të cilën dyshohen, personat e arrestuar do të procedohen më tej.
