Rusia vazhdon stërvitjet masive ushtarake me Bjellorusinë

Stërvitjet ushtarake të nisura nga forcat ushtarake ruse dhe bjelloruse kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, mes tensioneve midis Ukrainës dhe Rusisë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se forcat e armatosura ruse dhe bjelloruse filluan të enjten e javës së kaluar, më 10 shkurt, “në një fazë aktive të stërvitjes së përbashkët ushtarake”.
Ministria ruse tha se detyra e stërvitjes “Përcaktimi i aleatëve 2022”, që po zhvillohet në Bjellorusi, është të njohë aftësitë për të zmbrapsur agresionin e jashtëm, për të luftuar terrorizmin dhe për të mbrojtur interesat e Rusisë dhe Bjellorusisë.
Në një njoftim tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë tha se stërvitjet zhvillohen në kohën e rritjes së tensioneve në Evropë, përfshirë kufijtë perëndimor dhe jugor të Bjellorusisë.
Ministria bjelloruse pretendoi se rreth 30 mijë trupa të NATO-s, përfshirë aviacion dhe armë të rënda, janë të përqendruara në kufirin me Bjellorusinë.
Stërvitjet ruso-bjelloruse zhvillohen në dy faza.
Faza e parë zgjati deri më 9 shkurt dhe sugjeroi rishpërndarjen e trupave në Bjellorusi dhe formimin e një grupi të përbashkët ushtarak, ndërsa faza e dytë do të zgjasë deri më 20 shkurt dhe ajo do të përfshijë punën për çështjet e shtypjes dhe zmbrapsjes së “agresionit të jashtëm”.