Dëgjohen tre dëshmitarë në rastin ndaj inspektorit të pylltarisë në Kaçanik, i akuzuar për korrupsion

Të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, u mbajt shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit për korrupsion, Feriz Deda.
Në këtë fazë të procedurës, i akuzuari Feriz Deda sërish u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave të prokurorit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ky shqyrtim gjyqësor vazhdoi me fjalë hyrëse të prokurorit Shkuri Jashari, i cili deklaroi se pas administrimit të provave do të vërtetohet në mënyrë bindëse dispozitivi i kësaj aktakuze. Ndërsa, i akuzuari për korrupsion Feriz Deda tha se e kundërshton në tërësi këtë aktakuzë.
Tutje, në shqyrtimin e sotëm, u dëgjua dëshmitari Remzi Deda, i cili tha se ka dhënë dy deklarata për këtë rast dhe se mbetet në tërësi pranë atyre deklaratave, ndërsa me kërkesë të prokurorit Shukri Jashari ka përshkruar se çfarë kishte ndodhur më 23 prill 2020.
“Më 23 prill 2020, unë kam pranuar detyrën e punës në autoparkun e “UÇK”-së, ku dhe punoj si roje për 24 orë, ku më pas për këtë punë marrim 3 ditë pushim. Unë kam pranuar detyrën në orën 8:00 të mëngjesit, ndërsa në ora 10 policia me rojet e pyllit e kanë sjellë një kamion me drunjë”. ka thënë dëshmitari Remzi Deda.
I njëjti ka thënë se atë ditë të punës po përgatitej që me kamionin të cilin e dispononte autoparku të shkonte për t’i ndihmuar kompanisë së ujësjellësit, pasi që kishin nevojë për një kamion me vinç.
“Ato momente erdhi policia me thanë ti nuk guxon me lëshu vendin e punës por duhet me qëndru këtu me rujt parkingun dhe kamionin me drunjë që e kishin sjellë”, tha tutje dëshmitari Remzi Deda.
Ai po ashtu shtoi se vozitës në kamion ishte Jeton Bruti, të cilin më pas e kishin marrë policia.
Ndërsa pas gjysmë ore tha se aty në autopark kishte shkuar një “Golf 2”, ndërsa personi që e voziste këtë veturë kishte pyetur ku ishte Jeton Bruti, me arsye sepse ato dru kishte thënë se janë të tija për të cilat kishte dhe dokumentet.
I njëjti shtoi se më pas ishte afruar aty për të parë se çfarë po ndodhte dhe kishte parë se tani i akuzuari Feriz Deda po largohej, andaj i kishte kërkuar një dokument apo dëshmi që po lirohej të dilte kamioni me drunjë.
“U afrova me pa çka po ndodh, nga aty Ferizi menjëherë u largua me tha se kamioni së bashku me drunjt lirohet, atëherë unë i thash, mua dorëzoma një dëshmi-dokument që e liron kamionin me drunj, ai më ka thënë se tani nuk kam kohë, po ma vonë ta sjelli. Une i besova, kamioni shkoi me gjithë drunj”, tha dëshmitari Remzi Deda.
Në këtë shqyrtim u dëgjua dhe dëshmitari Fatmir Loku, i njëjti pasi që tha se ka dhënë deklaratë për këtë rast dhe se mbetet pranë asaj deklarate, ka përshkruar rastin në fjalë.
“Ditën kritike jam takuar me tani të akuzuarin Feriz Deda, i njëjti më ka thënë se Jetoni, pronari i kamionit, i kishte thënë që ky rast t’i lehtësohej për shkak se është në procedurë të marrjes së një vize”, tha dëshmitari Loku
I njëjti sqaroi se roja e pyllit mund të bëjë matjen e drunjëve në autopark vetëm atëherë kur inspektorët janë në pushim, ndërsa me urdhër të drejtorit, inspektori merr detyrë me shku në autopark.
I akuzuari Feriz Deda e ka pyetur dëshmitarin Loku, a ka ndonjë rregullore apo udhëzim administrativë ku thuhet se inspektori duhet të qëndroj aty derisa të zbrazën drunjt, dëshmitari Loku tha se për rregullore nuk dinte por që në bazë të praktikës deri sa të zbrazët kamioni inspektori duhet me qëndru aty.
Në këtë shqyrtim u dëgjua edhe dëshmitari Naser Murseli, i njëjti po ashtu ka qëndruar në tërësi pranë deklaratës së tij të dhënë në polici, dhe tutje ka përshkruar rastin në fjalë me kërkesë të prokurorit Shukri Jashari.
“Unë si roje pylli ditën kritike gjatë natës së më parme kam qenë në ndërrimin e natës, në mëngjes përafërsisht në orën 8:00, më kanë thirr prej komunës, të cilët më kanë thënë se duhet të shkojm te guri i zi në Glloboçicë, pasi që policia kufitare kanë ndaluar një kamion me drunjë”, tha dëshmitari Murseli.
I njëjti tha se pasi që kishte mbërritur aty kishte kontaktuar fillimisht me policët pastaj kishte parë drunjtë që përafërsisht ishin 8 metra drunjë, e që sipas tij, ishin pa fletëpërcjellje, kështu i kishte marrë dokumentet shoferit të kamionit i cili ishte Jeton Bruti.
Pastaj dëshmitari Murseli tha se e kishte njoftuar policinë që ky kamion duhej të kthehej në autopark për procedura të mëtutjeshme.
Në këtë shqyrtim ka munguar dëshmitari Jeton Bruti, për të cilin kryetarja e trupit gjykues, Kadrije Goga Lubishtani mori vendim që të urdhërohet stacioni policorë në Kaçanik që për seancë të radhës të sjellë me detyrim.
Andaj seanca e radhës për këtë rast u caktua më 5 prill 2022.
Sipas aktakuzës së ngritur më 3 korrik 2020, nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, Feriz Deda po akuzohet se më 23 prill 2020, rreth orës 10:45, në Kaçanik, në cilësinë e personit zyrtar, si Inspektor i Pylltarisë në Komunën e Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për personin tjetër, duke e shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, kishte tejkaluar kompetencat dhe me dashje e kishte shkelur ligjin lidhur me detyrat apo punësimin e tij, në atë mënyrë që ditën kritike, i kishte mundësuar personit Jeton Bruti që të tërheqë kamionin dhe drunjët e ngarkuara në të, të cilat i’u kishin sekuestruar paraprakisht nga policia, duke urdhëruar rojën e autoparkut, Remzi Demën, që të njëjtit t’ia liroj kamionin së bashku me drunjtë, pa i ofruar kurrfarë dokumentacioni dhe pa kurrfarë baze ligjore për lirimin e të njëjtave.
Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 nën paragrafin 3.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.