Qyteti magjik që shkëlqen natën

Qyteti Ascoli Piceno, me arkitekturën dhe urbanistikën që e karakterizon, ngjason me të gjitha qytetet e tjera të vogla italiane. Ka dy sheshe kryesore ku vendasit, sidomos të moshuarit, ulen e pushojnë, si dhe disa shëtitore ku ata dalin për ecjen e tyre të darkës. Si në shumë vende të tjera në Itali, qendra u ndërtua në periudhën mesjetare. Në të gjenden kisha shekullore, madje edhe mbetje të lashta që datojnë që nga periudha romake.
Megjithatë, ka diçka unike që e diferencon këtë qytet dhe e bën magjik. Po të endeni përreth, veçanërisht gjatë natës, do të vini re një ndryshim të madh: Ascoli duket sikur shkëlqen.
Gjatë ditës, ndërtesat e madje edhe gurët e shtruar në tokë ndriçojnë nën rrezet e diellit, ndërsa natën ato shkëlqejnë nën dritën e hënës. Kullat, portat e larta dhe dritat e rrugëve reflektojnë në mënyrë të përsosur, duke e bërë qendrën e qytetit të duket si një mirazh.
Ky fenomen ndodh si rezultat i materialit me të cilin është ndërtuar e gjithë qendra historike: një shkëmb i veçantë prej nga ku merret një gur i çmuar, i ngjashëm me mermerin, i quajtur “travertin”. Guri me ngjyrë të bardhë, që shkëlqen në diellin e mesditës, merr një ngjyrë të purpurt në perëndimin e diellit, si dhe ndriçon dukshëm në mbrëmje.
Shumë nga ndërtesat madhështore që ka Ascoli Piceno, datojnë që nga periudha romake. Kjo është arsyeja pse në këtë qytet, do të gjeni kisha mbi mbetjet e dukshme të tempujve romakë. Sipas studiuesve, Ascoli u themelua nga fisi i lashtë, Piceni, gati një shekull para se të lindte Roma. Mes luftëtarëve të këtij fisi dhe romakëve mendohet të ketë ndodhur një konflikt i ashpër njëvjeçar, që kulmoi me pushtimin e Ascolit. Pasi hynë në Ascolin e mposhtur, romakët e rrafshuan qytetin dhe vendosën ta rindërtonin nga e para.
Pikërisht në këtë kohë, nisi ndërtimi unik i këtij qyteti me materialin e çmueshëm të gurit të travertinit. Jashtëzakonisht poroz dhe elastik, falë organizmave të jashtëm si algat, myshqet, bakteret dhe shpesh fosilet, tranvertini është një formë sedimentare e gurit gëlqeror.
Mendohet se romakët po kërkonin asokohe të demonstronin forcën e tyre, ndaj vendosën të ndërtonin një “Romë në miniaturë”. Qyteti u ndërtua sipas modelit të Romës dhe përmbante tempuj, gjykata, amfiteatro dhe teatro romake.
Guri i Travertinit ka një cilësi tjetër të veçantë që i jep bukuri Ascolit. Kur nxirret për herë të parë, është relativisht i butë, duke e lejuar atë të skalitet – kjo është arsyeja që ndërtesat në qytet kanë fasada e porta të gdhendura me ornamente të ndryshme.
Më pas, përmes një procesi kimik të oksidimit, ai ngurtësohet në shkëmb aq rezistent sa ndërtesat e Ascolit i kanë rezistuar tërmeteve të shumta gjatë shekujve. Qyteti i rezistoi një tërmeti të madh në vitin 1703 dhe nuk u godit as nga ai i vitit 2016 që rrafshoi Amatricen, një orë larg Ascoli-t.
“Guri ndihmon që ndërtesat të jenë më të qëndrueshme. Romakët ishin të vetëdijshëm për tërmetet dhe e ndërtuan Ascolin me idenë për t’i rezistuar atyre. Ata kishin inxhinierë më të mirë se sot”, thotë Palumbi, historiane italiane.