Aktiviteti “Të gjithë lojtarë, të gjithë miq” mbledh fëmijët me nevoja të veçanta

Sot me 22 shkurt 2022 në Qendrën Burimore Përparimi në Prishtinë u realizua një ngjarje e jashtëzakonshme në frymën e demonstrimit se dallimet tona janë në fakt pikat e forta që mund të na bashkojnë.
Për të shënuar rëndësinë e gjithëpërfshirjes, organizata PLAY International dhe partnerët e saj Qendra Burimore Përparimi, Komiteti Olimpik Kombëtar, Komiteti Kombëtar Paralimpik dhe Ambasada e Francës në Kosovë bashkuan forcat për të realizuar një aktivitet për fëmijët.

Aktiviteti i quajtur “Të gjithë lojtarë, të gjithë miq” mblodhi së bashku fëmijët me nevoja të veçanta nga Qendra Burimore Përparimi si dhe fëmijët pa nevoja të veçanta nga shkolla fillore “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan për të luajtur disa aktivitete të dizajnuara nga PLAY International që lejojnë përshtatjen e aktiviteteve fizike të bazuara në nevojat e të gjithë fëmijëve. Kjo metodologji u mundëson mësuesve dhe praktikantëve të përfshijnë më lehtë fëmijët me nevoja të veçanta në të gjithë aktivitetet e edukimit fizik.
Në këtë ngjarje, Kryetarja e Komitetit Paralimpik znj. Njomza Emini mbajti një fjalim mjaft motivues për fëmijët duke vlerësuar arritjet e kampionëve të mëdhenj të Komitetit Paralimpik dhe duke theksuar se jo vetëm një, por çdo vit në fakt është viti i nevojave të veçanta.
Kryetari i Komitetit Olimpik Kombëtar z. Ismet Krasniqi theksoi sukseset e sportistëve të Kosovës në Lojërat Olimpike dhe përshëndeti bashkëpunimin e të gjithë aktorëve për këtë kauzë kuptimplote.
Z. Cyprien François, Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasadës Franceze, tha se “Përdorimi i sportit si një mjet për ndryshime sociale është një metodologji e shkëlqyer që ne jemi të lumtur ta mbështesim dhe pasi që lojërat e ardhshme Olimpike dhe Paraolimpike do të organizohet në të njëjtën kohë për herë të parë në Paris, është simbolike dhe i bën shumë jehonë konceptit të eventit të sotëm – Të gjithë lojtarë, të gjithë miq.”
Lojërat edukative që mblodhën fëmijët me dhe pa nevoja të veçanta do të vazhdojnë të mbështeten dhe t’u ofrohen mësuesve dhe praktikuesve në Kosovë përmes PLAY International. Gjithashtu, këto do të përfshihen si një nga temat e javëve tradicionale vjetore të Frankofonisë në Kosovë, ku partnerët e sotëm do të marrin pjesë në një konferencë në muajin mars.











