75 Mall Live Search
20:06 / E Premte, 25 Shkurt 2022 / MSH

​S’ka kuorum për votimin e rezolutës së AAK-së për dialogun Kosovë-Serbi

Pas rreth shtatë orëve ka përfunduar debati parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi. Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për votimin e rezolutës së propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryesuesja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ka njoftuar se nuk ka kuorum për vendimmarje.

“Vetëm 52 deputetë janë të pranishëm. Kështu që nuk ka kuorum për vendimmarrje”, ka njoftuar ajo.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se qeveria e ka devijuar debatin në formën më të ulët të mundshme.

Kreu i deputetëve të kësaj partie tha se rezoluta është e përkthyer në dy pika.

“Rezolutën e kam përkthyer në dy pika dhe ato reflektojnë në pozicionin e kryeministrit që e tha për dialog dhe pozicionin e opozitës se si e shohim ne dialogun. Dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë në nivel politik dhe jo teknik, si dhe të udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës. Dialogu duhet të fokusohet në njohje të ndërsjellë dhe ulësen në OKB, që e tha kryeministri i Kosovës. Këto dy pika i qes në votim”, tha ai.

E vetmja pikë e rendit të ditës në seancën e sotme plenare ka qenë debati parlamentar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.