75 Mall Live Search
15:11 / E Hënë, 28 Shkurt 2022 / LB

Solidariteti me Ukrainën: Paysera do të ndalojë transferet me Rusinë, dhe do të mbyllë llogaritë e klientëve të saj rusë

Paysera, një nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë financiare në shtetet baltike, tregon solidaritet me Ukrainën, duke ulur gjithashtu rreziqet në tregun rus. Kompania nuk do të përpunojë më transaksione në rubla ruse, do të mbyllë llogaritë e klientëve të saj rusë dhe do të kufizojë transferet e parave në dhe nga bankat ruse. Kompania inkurajon institucionet e tjera financiare të qëndrojnë në solidaritet me Ukrainën dhe të pezullojnë transaksionet në lidhje me Rusinë.

Kufizimet në transaksionet financiare do të prekin më së shumti banorët rusë pasi llogaritë e personave juridikë do të mbyllen. Llogaritë individuale do të mbyllen nëse individi nuk ka lejeqendrim në ndonjë vend tjetër që konsiderohet i pranueshëm nga politikat e kompanisë. Për më tepër, transaksionet në rubla ruse do të ndërpriten. Transferet në të gjitha bankat ruse ose bjelloruse janë ndërprerë për të gjithë klientët nëse marrësi është një kompani ruse ose bjelloruse. Kompanitë që janë të regjistruara jashtë Rusisë, por aksionarët kryesorë të të cilave janë shtetas rusë (pa të drejtë qëndrimi në një nga vendet e pranueshme për kompaninë) nuk do të mund të qëndrojnë si klientë të kompanisë.

“Sanksionet e BE-së të vendosura ndaj bankave ruse më 22 shkurt janë një kompromis, që synohet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Ne qëndrojmë në solidaritet me ukrainasit dhe nuk do të përpunojmë më pothuajse të gjitha transaksionet që lidhen me Rusinë. Ne duam të dërgojmë mesazhin se ne të gjithë mund të kemi ndikim nëpërmjet zgjedhjeve që bëjmë. Ndërsa ne refuzojmë të transferojmë para, dikush tjetër mund të refuzojë të sigurojë, prodhojë, këshillojë, investojë ose ofrojë transport”, thotë Bashkim Zeqiri, CEO i Paysera Kosova, pjesë e deklaratës së përbashkët nga Paysera Group.

Ai shpjegon se duke vendosur kufizime në transaksionet e lidhura me Rusinë, kompania po redukton gjithashtu rrezikun operacional.

Klientët do të njoftohen për kufizimet në transaksione në ditët në vijim. Sipas marrëveshjes së kompanisë me klientët e saj, kërkohet një periudhë njoftimi 60-ditore përpara zbatimit të kufizimeve.

Sipas Zeqirit, është e mundur që në një ose dy muajt e ardhshëm, BE dhe SHBA të vendosin sanksione më të rrepta ndaj sektorit financiar të Rusisë sesa ato të prezantuara më 22 shkurt. Në këtë rast, Paysera do të zbatonte menjëherë sanksionet e BE-së ose të SHBA-së. që të jetë në përputhje me periudhën e njoftimit, dhe me kërkesat ligjore në fuqi.