75 Mall Live Search
16:34 / E Enjte, 03 Mars 2022 / OSH

Putin Macronit: Situata mund të përkeqësohet në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin i tha homologut të tij francez Emmanuel Macron se ai do të vazhdojë operacionet ushtarake në Ukrainë gjatë një telefonate 90-minutëshe të iniciuar nga Putin.

“Kjo bisedë është për fat të keq një rast për të dëgjuar se Presidenti Putin do të vazhdojë ndërhyrjet ushtarake dhe për të shkuar deri në fund”, sipas burimit të Elysée.


Putin dhe Macron patën “një shkëmbim të sinqertë pikëpamjesh mbi situatën rreth Ukrainës”, tha shërbimi për shtyp i Kremlinit të enjten, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.

Sipas burimit të Elysée, Putin gjithashtu mohoi të kishte bombarduar Kievin dhe paralajmëroi se situata do të përkeqësohet, por është faji i Ukrainës.

Në përgjigje, Macron e paralajmëroi Putinin se ai po bën një gabim të madh. Macron përsëriti se kërkesat e Moskës për neutralizimin dhe çarmatimin e Ukrainës janë të papranueshme dhe përgjegjësia e këtij konflikti bie tërësisht mbi Putinin.

Por Macron tha gjithashtu se ka ende kohë për diplomaci dhe dialog për të adresuar shqetësimet e Rusisë dhe për të përfshirë interesat e Rusisë.

Macron gjithashtu i kërkoi Putinit të respektojë presidentin ukrainas, familjen e tij, të afërmit, zyrtarët shtetërorë dhe përfaqësuesit e zgjedhur, sipas burimit.

Pas telefonatës së tij me Putinin, Macron foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky./IndeksOnline/