Japonia lëshon 7.5 milionë fuçi nga rezervat e naftës

Japonia njoftoi sot se do të lëshonte 7.5 milionë fuçi nga rezervat e naftës ndërsa vazhdojnë luftimet mes Rusisë dhe Ukrainës, njoftoi ministri japonez i Industrisë, Koichi Hagiuda.
Ky hap është pjesë e veprimit kolektiv të anëtarëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), siç u ra dakord të martën e kaluar, “për të stabilizuar tregjet e naftës” pas shpërthimit të luftës midis Kievit dhe Moskës, theksoi ministri Hagiuda.
“Me 60 milionë fuçi në total që do të lëshohen bashkërisht nga 31 anëtarët e IEA-s, Japonia renditet e dyta në këtë aksion pas SHBA-së, e cila do të lëshojë 30 milionë fuçi”, tha Hagiuda në një konferencë për media, sipas agjencisë japoneze të lajmeve “Kyodo News”.
Rusia, një nga prodhuesit kryesorë të naftës në botë dhe eksportuesi më i madh, më 24 shkurt nisi luftë kundër Ukrainës, duke shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare, ndërkohë BE-ja, SHBA-ja, Japonia dhe Britania e Madhe, vendosën sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Sipas të dhënave të OKB-së, që nga fillimi i luftës në Ukrainë të paktën 227 civilë janë vrarë ndërsa 525 janë plagosur. Megjithatë, autoritetet ukrainase thonë se numri i të vdekurve është mbi 2.000.
Më shumë se 1 milion njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët.
“7.5 milionë fuçi që do të lëshohen nga Japonia korrespondojnë me rreth katër ditë të konsumit të brendshëm, ndërsa qeveria ka vendosur të reduktojë rezervat e detyrueshme të naftës në sektorin privat në 66 ditë nga vlera aktuale 70 ditë për një muaj”, deklaroi ministri japonez i Industrisë.
“Ne do të vazhdojmë të inkurajojmë vendet prodhuese të naftës që të rrisin prodhimin e tyre”, tha Hagiuda.