75 Mall Live Search
12:08 / E Diele, 06 Mars 2022 / MSH

Kriza e refugjatëve nga Ukraina, më e madhja në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore

Më shumë se 1.5 milionë refugjatë nga Ukraina kanë kaluar në vendet fqinje në 10 ditë, tha komisioneri i agjencisë së refugjatëve të OKB-së, Filippo Grandi.

Në një postim në Twitter, Grandi e quajti atë “kriza e refugjatëve në rritje më të shpejtë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Gjermanisë tha për CNN se rreth 38,000 njerëz kanë mbërritur në vend nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.

Policia Federale Gjermane regjistroi 37,786 refugjatë nga vendi i shkatërruar nga lufta që nga e diela.

Megjithatë, duke pasur parasysh mungesën e kontrolleve kufitare midis Polonisë dhe Gjermanisë, numri aktual i njerëzve që vijnë mund të jetë dukshëm më i lartë.

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, tha për gazetën gjermane “Bild am Sonntag” se Gjermania do të presë refugjatët që ikin nga lufta në Ukrainë, pavarësisht nga kombësia e tyre.

“Ne duam të shpëtojmë jetë. Kjo nuk varet nga pasaporta,”tha Faeser.