Arteta flet për “asistin” që dha tek goli i tretë i Arsenalit ndaj Watfordit

Pesë vjet pasi vari këpucët, Mikel Arteta, trajneri i Arsenalit arriti që ta bëjë një “asistim” që ndihmoi shumë në golin e tretë të skuadrës së tij ndaj Watfordit në Premier Ligë të dielën.
Kur rezultati ishte 2-1 në favor të ekipit të tij, topi doli jashtë loje dhe spanjolli e kapi shpejtë dhe ia dorëzoi Bukayo Sakas për një rikthim të shpejtë në lojë dhe rezultati ishte që solli një gol nga Gabriel Martinelli.
“Nuk e di, pashë një mundësi dhe isha atje sepse nuk isha shumë i kënaqur me atë që po shihja dhe thjesht doja të përfitoja dhe djemtë e tjerë bënë atë që bënë” tha Arteta pas ndeshjes.
“Është një fitore e madhe, është shumë e vështirë të fitosh ndeshje radhazi në Premier Ligë dhe ne e dinim se sot, kundër një ekipi që ka një trajner të ri dhe ata po luftojnë për objektivin e tyre, do të ishte e vështirë dhe dukej që në sekondat e para të ndeshjes kur pësuam një gol që u anulua”, vazhdoi ai.
“Shumë gjëra pozitive në lojën tonë të përgjithshme, rastet që krijuam, shënuam gola të mrekullueshëm, por nuk e kishim kontrollin total të lojës dhe nuk jam i kënaqur me këtë. Pasi shënuam golin e tretë, mendoj se duhet të kishim luajtur një lojë krejtësisht tjetër. Nuk arritëm të merrnim kontrollin e lojës për të bërë pasimet e duhura në zonat e duhura, u nxituam, ishim të thyer”, tha në fund ai.
Arsenali është i renditur në vendin e katërt me 48 pikë pas 25 ndeshjeve në Premier Ligë.