75 Mall Live Search
07:29 / E Hënë, 07 Mars 2022 / MSH

ShBA planifikon furnizimin me naftë nga Arabia Saudite dhe Venezuela

Qeveria amerikane thuhet se po shqyrton një udhëtim të presidentit Joe Biden në Arabinë Saudite, për t’i kërkuar mbretërisë të rrisë prodhimin e naftës.

Axios, një gazetë politike amerikane e lajmeve, po raporton se udhëtimi do të bëhet në pranverë, ndërsa Shtëpia e Bardhë po përpiqet të adresojë një krizë globale energjetike të shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, megjithatë, tha se një udhëtim i tillë ende nuk është zyrtarizuar dhe se “shumë nga këto janë spekulime të parakohshme”.

Zyrtarët e ShBA-së dhe Venezuelës thuhet se kanë diskutuar gjithashtu lehtësimin e sanksioneve të naftës. Një numër ligjvënësish amerikanë kanë sugjeruar që nafta venezueliane mund të ndihmojë në zëvendësimin e naftës ruse, sipas New York Times.

ShBA aktualisht mbështetet në Rusi për 10% të importeve të saj të naftës bruto dhe produkteve të naftës.

Të dielën, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha në një deklaratë se ligjvënësit amerikanë po “eksploronin legjislacion të fortë” për të izoluar Rusinë, duke përfshirë një ndalim total të naftës dhe produkteve energjetike ruse në ShBA.