Ed Sheeran: Nuk kam “huazuar” ide nga artistë të tjerë

Ed Sheeran është shprehur se asnjëherë nuk ka “huazuar” ide nga artistë të tjerë.
Këngëtari britanik e deklaroi këtë të hënën në Gjykatën e Lartë në Londër gjatë seancës për një plagjiaturë të mundshme nga ylli gjatë realizimit të hitit të tij botëror Shape of You , transmeton Indeksonline.
Vokalisti Sami Chokri dhe producenti i tij Ross O’Donoghue deklarojnë se Sheeran kopjoi “disa fraza dhe fjalë” nga kënga e tyre Oh Why for Shape of You . Sipas avokatit të tyre, Andrew Sutcliffe, ka “prova bindëse” që Sheeran mblodhi ide nga të tjerët përpara se të shkruante këngët e tij dhe nuk është “e vërtetë” që këngëtari i ka dalë me gjithçka vetë.
“Unë nuk jam dakord me këtë,” tha Sheeran.
Rasti i plagjiaturës vazhdon prej gati katër vitesh. Në vitin 2018, Sheeran i kërkoi Gjykatës së Lartë të vendosë se ai dhe bashkë-shkrimtarët e tij nuk kishin shkelur të drejtat e autorit të Chokri dhe O’Donoghue. Këta të fundit ngritën padinë e tyre, në të cilën kërkuan ndër të tjera dëmshpërblim dhe një pjesë të të ardhurave të këngës.
Trajtimi substancial filloi të premten dhe pritet të zgjasë rreth tre javë./Indeksonline/