75 Mall Live Search
18:08 / E Hënë, 07 Mars 2022 / AR

Musliu-Shoshi i kërkon Gërvallës t’i ketë takimet vetëm: Mos u bëj shoqëruese e Osmanit dhe Kurtit

Në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporës, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi i kërkoi ministres së Jashtme, Donika Gërvallës, që të shfrytëzojë momentumin e krijuar përmes takimeve bilaterale me homologët e saj.

Derisa Gërvalla u shpreh optimiste për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, Musliu-Shoshi i kërkoi që të mos marrë pjesë në takime së bashku me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, por takimet t’i bëjë vetëm, raporton Indeksonline.

“Është një momentum i jashtëzakonshëm që MPJD të jetë më aktive. Vlerësoj se është shumë më mirë që ju të keni takimet e juaja dhe të mos merrni pjesë në takime me presidentin dhe kryeministrin, pasi ata mund të kryejnë punët e tyre që i kanë. Mirëpo ju si ministre është shumë e rëndësishme që të keni takimet me homologët e juaj ku jeni vetëm ju dhe nuk jeni shoqërues e dy zyrtarëve tanë të lartë”, tha Musliu-Shoshi.

Por, Gërvalla tha se pjesëmarrja e saj në takime me Osmanin dhe Kurtin nuk e ndalon punën dhe takimet e saj bilaterale.

Siç thotë ajo, prania e ministrit të Punëve të Jashtme në delegacionet që krerët e shtetit zhvillojnë e krijojnë kontinuitetin e politikës së jashtme./Indeksonline/