75 Mall Live Search
23:47 / E Hënë, 07 Mars 2022 / AR

Sveçla në Amerikë për të forcuar bashkëpunimin në mes Kosovës dhe SHBA-së

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot ka nisur takimet në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Siç thotë ai, do të realizojë takime me personalitete të institucioneve relevante për forcimin e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, raporton Indeksonline.

Postimi i plotë:

Sot kam filluar takimet në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të realizoj takime me personalitete të institucioneve relevante për forcimin e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe SHBA-së si partneri ynë strategjik.

Pata nderin të takoj z. Gregory Ducot, Drejtorin e Programit të Asistencës së Trajnimit të Hetimeve Penale – ICITAP në kuadër të Departamentit të Drejtësisë dhe Ndihmës Drejtorin Mark Mogle, Programi i Asistencës së Trajnimit të Hetimeve Penale – ICITAP, për forenzikë.

Shfrytëzova rastin të shpreh mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme nga shteti Amerikan përmes programit ICITAP në Kosovë, i cili ka ofruar mbështetje në kapacitete njerëzore, teknike dhe teknologjike për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe agjencitë e saja.

Z. Ducot dhe z. Mogle kanë theksuar që Kosova tashmë është një shembull referimi për suksesin e arritur në fushën e policisë dhe forenzikës, të cilat janë model për vendet e rajonit dhe më gjerë.

Pavarësisht të arriturave të deritanishme, kam potencuar nevojën që agjencitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme sikurse Policia, Inspektorati Policor i Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Agjencia e Forenzikës dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike të mbështeten edhe më tutje për të arritur standardet specifike në fushën e parandalimit të krimit, menaxhimit të emergjencave dhe rritjes së sigurisë për qytetarët e vendit.

ICITAP-i u zotua që të vazhdojë bashkëpunimin profesional duke mbështetur institucionet tona në adresimin e nevojave në fushën e sigurisë, luftimit të krimit dhe korrupsionit si dhe sundimin e ligjit.