Dy kosovarë i bashkohen luftës në Ukrainë kundër Rusisë

Dy shqiptarët e parë nga Kosova i janë bashkuar luftës së Ukrainës kundër agresorit rus. Të dy ata vijnë nga komuna e Therandës dhe thonë se arsyet e shkuarjes atje janë humane. Ata shtojnë se kanë pak përvojë ushtarake.
Dy kosovarë i janë bashkuar luftës në Ukrainë kundër Rusisë.
Njëri nga dy kosovarët ka thënë se njëra ndër arsyet se pse ka vendosur që të luftojë për Ukrainën është që ky shtet ta njoh pavarësinë e Kosovës.
“Arsyet janë humane, armik i përbashkët. Duam t’i bashkohemi SHBA-ve si dhe ndoshta pas kësaj Ukraina do ta pranojë Kosovën si shtet”, tha ai për Kanal10 deri sa ishte duke pritur në kufirin Poloni-Ukrainë për të kaluar në pjesën tjetër të kufirit.
“Arsyet janë thjesht shumë humane. Na kanë prekur këto pamje dhe një armik i përbashkët”, thotë Maliq Behluli.
Ndërkohë Ismet Shala shpreson që Ukraina të ndryshojë mendje për Kosovën pas këtyre zhvillimeve.
“Të gjitha shtetet e BE-së e përkrahin Ukraniën në këtë luftë. Dihen qëndrimet e Rusisë. Ndoshta Ukraina do të ndërrojë mendje e të na përkrahë”, tha Ismet Shala.
Ata tregojnë se përvojat e tyre në luftë janë të pakta, por që e kanë përjetuar luftën në Kosovë.
“Kam disa përvoja. Kam qëndruar në Kosovë gjatë luftës. Përvojën e shërbimit ushtarak në ish-Jugosllavi. Na kujtojnë çfarë kemi hequr në Kosovë”, thotë Behluli.
“Nuk kam përvojë. Por kam përjetuar luftën në Kosovë. Pamjet flasin vetë. Fëmijë, gra. Burra nuk shihen. Do të solidarizohemi me civilët e Ukrainës. Për paqe çdokush ka të drejtën të luftojë”, shtoi Shala.
Ata besojnë që Kosova nuk rrezikohet nga agresioni serb për shkak të pranisë ndërkombëtare.
“Nuk besoj pasi kemi NATO-n dhe KFOR-in”, tha Behluli.
Ndryshe, pjesëmarrja në luftëra të huaja, jashtë territorit të Kosovës është vepër penale dhe hyn te veprat e terrorizmit.
Në ligjin e miratuar në Kosovë thuhet se “Kushdo që merr pjesë në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht , në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite”.
