75 Mall Live Search
21:06 / E Premte, 11 Mars 2022 / MSH

Të kujt janë punëtorët që Trepça, njësia në Veri i paguan

Ndërmarrja Trepça, Njësia në Leposaviq dhe në Kopanik, ka një numër jashtëzakonisht të lart të të punësuarve. Por në këtë njësi ka dilema nëse po punohet dhe veprohet ne bazë të ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës.

Si dhe ka shumë dyshime për keqpërdorime me numrin e punëtorëve. Për Deputetin e Kuvendit të Kosovës, i cili ishte edhe Kryeshefi  i parë i Ndërmarrjes Trepça, pas dorëzimit nga UNMIK-u, thotë  se në atë njësi punohet me rregullativë të Beogradit.

“Ata punëtorë atje punojnë me rregullativë të Beogradit, dhe janë kompani të kontraktuara që janë nga Serbia kanë punuar dhe punojnë në baza kontraktuale në Trepçën veriore qoftë në pjesën e Eksploatimit qoftë në pjesën e  përpunimit”, tha Shala.

Ai thotë se ka kompani që sjellin punëtor për të punuar atje. “Ka Kompani që kanë ardhur dhe që punojnë nga Serbia, dhe një pjesë e punëtorëve po ashtu”.  Edhe në bazë të një raporti që emisioni Udhëve në RTK ka siguruar, në rastin e lëndimit të një punëtori i cili edhe kishte përfunduar me fatalitet në minierën në Cërnac në vitin 2020, vërtetohet se atje ka punëtorë që vinë nga Serbia që të punojnë në Kosovë, duke u angazhuar përmes Ndërmarrjes Serbe.

Për këtë gjë, Ndërmarrja Trepça në veri kishte lidhur kontratë me Ndërmarrjen Serbe. Punëtori ishte me banim të përkohshëm në Cërnac , komuna e Novi Pazarit të Serbisë “Punëtori ka qenë i punësuar ndihmës-xehtar në ndërmarrjen Rudar  Internacional D.O.O

Beograd (provë kontrata e punës 16.07.2017)i cili është angazhuar nga ndërmarrja në kryerjen e punëve minerare “RUDARINVEST”- Leposaviq (provë kontrata në mes të këtyre dy ndërmarrjeve e datës 15.07.2016). Ndërsa Ndërmarrja RudarInvest -Leposavoc kryen punë minierare në minierën e  Trepça SH, provë kontrata me shkrim e datës 01.10.2019”, thuhet në dokumentin që Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale kishte lëshuar, kur kishte urdhëruar mbylljen e përkohshme të Minierës si shkak I inspektimit me rastin e humbjes së jetës së punëtorit.

Një gjë të tillë ka informata edhe ushtruesi i detyrës së Drejtorit në KPMM. Ai thotë se numri i të punësuarve në Trepçën në Veri nuk është shumë i madh. Ai lë të hapur mundësinë që mund të bëhen keqpërdorime me punëtorët atje dhe numrin e tyre.

“ Numri i punëtorëve këtu është pak edhe i ndryshueshëm, varet nga situata, aktualisht sipas të udhënave që i kemi janë të punësuar rreth 500 persona në dy minierat dhe në Flotacion”, tha për RTK-në Sali Mulaj.

Ai tha se në gjendjen e tanishme se si janë të gjitha njësit e Trepçës, është problem që numri të mund të jetë më I madh. Ndërsa pjesë që ka mbetur qysh nga Ish Jugosllavia është se hyrja e të dy minierave, është e përbashkët edhe për punëtorët e Minierave në Serbi ashtu edhe të atyre të veriut.

“Nga e njëjta hyrje ku janë të dy minierat, hyrjen e kanë nga ana e Kosovës, shfrytëzohet hyrja për të dyja shtetet, si dhe punëtorët, një grup i punëtorëve që është në Serbi një ditë mund të punoj andej, dhe një ditë këndej”, tha Mulaj.

“Keqpërdorime është e mundshëm për me pas…nuk është vërejt një keqpërdorim i kësaj natyre..kjo çështje e shtimit të punëtorëve KPMM nuk e ka vërejt si dukuri”, tha gjithashtu Mulaj.

Por numër shumë më të madh se sa rreth 500 sa ka KPMM-ja, ka kryeshefi I Ndërmarrjes Trepça, Enis Abdurrahmani.

“Aty janë të raportuar punëtorët kryesisht që janë në prodhim, punëtorët që janë në minierë dhe në flotacion, nuk raportohen edhe punëtorët që janë në njësitë tjera që janë jo produktive..andej i kemi rreth 1200 punëtorë.. si dhe rreth 900 punëtorë janë që punojnë me rotacion”.

Por Aburrahmani nuk ka informata që në ndërmarrjen në të cilën ai udhëheqë, në njësinë në Veri, ka punëtor që vinë me kontrata nga Serbia përmes marrëveshjeve të Ndërmarrjeve serbe me njësinë e Veriut.

“Një informatë të tillë unë nuk e kam pas deri sot dhe një informatë e tillë duhet të jetë edhe për organet e shtetit.. Kjo mund të jetë edhe spekulim, kjo duhet të hetohet dhe të dihet saktë”, tha Abdurrahmani për Udhëve në RTK.

Ndërsa në një intervistë që Drejtori i Gjeneral në Trepçën në veri, Jovan Dimkiq kishte dhënë për RTS –ën në vitin 2018, se në Trepçë të Veriut janë të punësuar më shumë se 2 mijë punëtorë.

“Rreth 2400 punëtorë në “Trepçën e Veriut”. Deri në dhjetor të vitit të kaluar në “Trepça Veriore” kanë punuar 3 mijë punëtorë, ndërsa më pas programin e Qeverisë së Serbisë e kanë pranuar rreth 560 punëtorë dhe kanë marrë pagesa të shkëputjes”.

Kjo deklaratë e Dimkiq lë të kuptohet se Qeveria e Serbisë vendos edhe për punëtorët që janë në Republikë të Kosovës. Gjithashtu, lë të dyshohet nëse punëtorët që janë të deklaruar si punëtorë të Trepçës në Veri, mund të jenë gjithashtu punëtorë që punojnë për minierat në Serbi.

Për kryetarin e Bordit të Trepçës Bahri Hyseni, numrat e punëtorëve janë komplet tjera, dhe shumë më të larta se ato që ka Komisioni i Minierave dhe Mineraleve.

“ Unë e kam një listë të të punësuarve në Miniera atje të muajit maj të vitit 2021- janë 1049 punëtorë, të gjithë me emër dhe me mbiemër…edhe në raportin e auditorit të jashtëm që ata kanë bërë thuhet se janë rreth 1090 punëtorë si dhe rreth 900 punëtorë të angazhuar me rotacion..

Kohë pas kohe i angazhojnë, sipas një evidence atyre kur nuk punojnë ua japin nga 50 euro…në raportin e jashtëm të vitit 2021 thuhet se janë 1938 punëtorë.

Për vite të tëra kemi dëgjuar për zhvillimet në Trepçë, por vetëm për pjesën jugore. Deri më tani nuk kemi parë të ngiten si shqetësim nga askush për të vepruar dhe vënë ligjshmëri në përputhje me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës edhe në Minierën e Trepçës njësia në veri. Jashtë kontrollit shtetëror një menaxhment I emëruar në kohën e Millosheviqit, vazhdon të jetë komod dhe të veprojë pa u penguar nga askush.