Aksioni te “Vatan Med”, ATK jep detaje se çfarë u sekuestrua dhe për çfarë vepre penale ka dyshime

Paraditën e sotme ATK ka zbarkuar në zyret e “Vatan Med”.
Pasi u kryen hetime të detajizuara, ATK ka dalur me detaje të reja rreth këtij aksioni.
“Qëllimi i ndërmarrjes së këtij aksioni ishte hetimi i transaksioneve biznesore tek një kompani, të cilat transaksione bazuar në informatat e pranuara nga palët e treta, si dhe krahasimit të tyre me informatat me të cilat disponojmë në databazën e ATK-së, kemi konstatuar mospërputhje të deklarimeve të bëra në ATK ne raport me informatat të cilat janë siguruar nga palët e treta.

DHTI pas ndjekjes së të gjitha procedurave më Prokurorin dhe pas aprovimit të urdhëresës për bastisje nga ana e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, me qëllim të sigurimit të fakteve kemi zhvilluar një aksion kontrolli ( bastisje ).
Aksioni është zhvilluar ne dy lokacione tek i njëjti biznes, i cili veprimtari primare ka aktivitetet e mjekësisë së specializuar, ku gjatë aktivitetit si provë materiale tek ky biznes janë sekuestruar përkohësisht:
- Dokumentacion kontabël;
- Fatura të shitjes së shërbimeve;
- Evidencën e klientëve për shërbimet e kryera ( pagesat );
- Lista e produkteve në stoqe;
- 2 USB;
- Ekstraktimi i dosjeve elektronike nga 5 kompjuterë, si dhe shënime të tjera relevante rreth rastit.
Pas analizimit të informatave dhe dëshmive të marra rasti do të procedohet në Prokurorinë kompetente dhe për të gjeturat e konstatuara do të jeni të informuar” thuhet në njoftimin e ATK-së./Indeksonline/