Kosova zgjeron pakon e sanksioneve ndaj Rusisë e Bjellorusisë

Qeveria e Kosovës ka zgjeruar pakon e masave sanksionuese ekonomike-financiare ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, pas pushtimit të Ukrainës.
Këto sanksione u bënë të ditura sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. Përmes këtyre sanksioneve kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria e Kosovës po rreshtohet me partnerët ndërkombëtarë në zbatimin e masave dhe sanksioneve të reja përfshirë edhe pakon e katërt të sanksioneve të BE-së.
Po në këtë mbledhje të Qeverisë së Kosovës janë ndarë edhe 100 mijë euro për dërgimin e kontingjentit të parë të ndihmave humanitare për popullin e Ukrainës.
“Në vazhdimësi të bashkëpunimit të ngushtë me BE dhe SHBA-në dhe partnerët tjerë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka propozuar vendimin për zbatimin e të gjitha sanksioneve ekonomik dhe financiare të përcaktuara nga BE ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë. Përmes këtij vendimi, qeveria jonë do të vazhdojë të rreshtohet me partnerët në zbatimin e masave dhe sanksioneve të reja përfshirë edhe pakon e katërt të sanksioneve të BE-së. Kjo pako konsiston me masa restriktive tregtare, ekonomike, financiare, energjetike, industri të mbrojtjes si dhe ndaj individëve dhe aktiviteteve shtesë“, tha Kurti.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla u shpreh se pakoja e katërt e sanksioneve ekonomike-financiare ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë përfshinë ngrirje të aseteve bankare, institucionet financiare dhe individë, ndalimin e qasjes së tyre në tregjet financiare, ndalimin e transmetimit të mediave propaganduese, materiale të ndryshme që mund të përdoren në makinerinë e luftës etj.
“MPJD propozim për shqyrtim dhe miratim vendimin për zbatimin e të gjitha sanksioneve ekonomike dhe financiare të përcaktuara nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë. Pothuajse të gjitha sanksionet deri më tani janë miratuar në koordinim intensive dhe të plotë në mes të SHBA-së, BE-së dhe partnerëve të tjerë në përpjekje për ta kundërshtuar fuqimisht luftën pushtuese ruse në Ukrainë. Sanksionet e zgjeruara përfshijnë gjithashtu ngrirje të aseteve bankare, institucionet financiare dhe individë ndalimin e qasjes së tyre në tregjet financiare, ndalimin e transmetimit të mediave propaganduese, materiale të ndryshme që mund të përdoren në makinerinë e luftës, restriksionet e Bjellorusisë për largimin e mundësisë së importeve të mallrave teknologjike si kundërpërgjigje e mbështetjes së luftës së Rusisë në Ukrainë dhe masa të tjera restriktive që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elita dhe akterë politik të përfshirë në invazionin rus në Ukrainë. Individët gjithashtu do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit apo transitit në vendet që i zbatojnë këto sanksione”, theksoi Gërvalla.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro për dërgimin e kontingjentit të parë të ndihmave humanitare për popullin e Ukrainës.
Ministrja Gërvalla në arsyetimin e këtij vendimi u shpreh se kjo po bëhet për t’i dal në mbështetje popullit ukrainas.
“Bazuar në qëndrimin e Kosovës për harmonizimin e qëndrimeve me aleatët SHBA-në dhe BE-në lidhur me zhvillimet e fundit në Ukrainë në përgjigje të thirrjes publike të Ukrainës për ndihma humanitare përmes përfaqësive të saj diplomatike dhe me qëllim të shprehjes së solidaritetit për popullin ukrainas viktimë e agresionit rus, MPJD propozim për shqyrtim dhe miratim vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 100 mijë eurosh në emër të dërgimit të kontingjentit të ndihmave nga Kosova për popullin e Ukrainës. Kosova edhe përmes kësaj ndihme solide ofron mbështetje dhe shpreh solidaritetin e saj të pakursyer me Ukrainën dhe popullin e saj si dhe seriozitetin e saj si pjesë e botës më të mirë dhe demokratike”, tha Gërvalla.