75 Mall Live Search
14:12 / E Mërkurë, 23 Mars 2022 / B O

Shala publikon borxhet e Trepçës, thotë se gjendja e ndërmarrjes është tejet e rëndë

Ferat Shala ka thënë se gjendja e ndërmarrjes Trepça është tejet e rëndë. Deputeti i PDK-së ka thënë se ndërmarrja ka borxhe të mëdha duke fajësuar Qeverinë për situatën e krijuar.

Shala ka publikuar edhe shifrat e borxheve që ka Trepça.

“Trepça gjatë qeverisjes 1 vjeçare Kurti
Pa dashur shumë të ju ngarkoj me teori dhe fjalë, për qeverisjen e mirë apo të keqe, po pasqyrojmë gjendjen reale, shifrat, faktet dhe shembujt konkret të kësaj qeverisje.
Ndërmarrja udhëhiqet me Ushtrues Detyre të Kryeshefit Ekzekutiv të Trepça Sh.A, po ashtu sipas ligjit në fuqi nuk është zgjedhur bordi menaxhues, apo zgjedhja e drejtorëve ose siç quhen në Statutin e Trepçës, “Udhëheqëseve të njësive biznesore”.
Kjo duhet të bëhet sipas kushteve të përcaktuara në nenin 15 dhe 17 të Ligjit nr. 03/L-087 për ndërmarrjet publike, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-111 dhe me Ligjin Nr. 05/L-009.
Deri më tani, udhëheqës të njësive biznesore në Trepçë, janë zgjedhur persona që kanë qenë duke punuar në Trepçë, dhe kjo në shumicën e rasteve është bërë pa konkurs publik, pra është bërë më emërim.
Kjo bije ndesh me nenin 15 dhe 17 të Ligjit nr. 03/L-087 për ndërmarrjet publike, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-111 dhe me Ligjin Nr. 05/L-009.
Ndërkohë, me 3 shkurt 2019, Kuvendi i Kosovës me Vendimin Nr.06-V-317, ka miratuar Statutin e Trepçës, si obligim që del nga neni 6 i Ligji nr.05/L-120 për Trepçën.
Në nenin 1, të Statutit të miratuar, përcaktohet:
“Ky Statut ka për qëllim përcaktimin e themeluesve, të shoqërisë aksionare, aksionet e tyre, veprimtarinë, strukturën organizative, kapitalin themeltar, menaxhimin, afarizmin si dhe çështjet tjera organizative specifike të ,,Trepça’’ SH.A”.
Asnjë nga pikat e Statutit nuk është plotësuar deri më tani!
Gjendja financiare e ndërmarrjes është jashtëzakonisht e rëndë, me tendencë të përkeqësimit.
Shih shifrat:
Borxhet ndaj furnitorëve (€) – 4,245,949.00 €
Renta Minerare 2021 (€) – 670,088.00 €
Borgj ATK-së(€) – 8,340,000.00 €
Total borxhe (€) – 13,256,038.66 €
Këto shifra janë vetëm gjatë vitit 2021.
Kujtoni premtimet e Kryeministrit Kurti gjatë fushatave zgjedhore, dhe krahasoni ato me realitetin që sot mbizotëron” shkruan Ferat Shala në reagim./Indeksonline/