Policia e Zvicrës rifillon hetimet për një vrasje të ndodhur në vitin 1999, cakton shpërblim për dhënie të informacionit

Rifillimi i hetimeve për shkak të deliktit të vrasjes të vitit 1999 në Schlieren. Është caktuar shpërblimi.
Më 3 nëntor 1999, në Schlieren të Zvicrës, u plagos për vdekje nga të shtënat me armë zjarri në atë kohë 20-vjeçari nga Maqedonia e Veriut. Në bazë të njohurive më të reja, Policia e Kantonit të Cyrihut ka rifilluar hetimet dhe ka caktuar shpërblimin.
Të mërkurën në mbrëmje të datës 3 nëntor 1999 një person i panjohur në Schlieren shtiu në drejtim të një burri 20-vjeçar dhe të shoqëruesit të tij 22-vjeçar. Nga të shtënat burri 20 -vjeçar u vra, ndërsa shoqëruesi i tij u plagos. Viktimat ishin shqiptarë të Maqedonisë së Veriut me vendbanim në Kantonin e Solothurnit.
Si i dyshimtë u identifikua një burrë 18-vjeçar, shtetas i Shqipërisë. Për këtë shkak ai u burgos në Itali në vitin 2000 dhe u ekstradua në Zvicër me 2002. Në mungesë të provave të mjaftueshme, procesi ndaj tij u pezullua më 2003. Hetimet e deritashme nxorën në pah se vepra të ndryshme penale u bënë, me gjasë, nga persona të rrethit të të dyshuarit dhe të viktimës. Ekziston dyshimi se personat e involvuar dhe të marrë në pyetje janë kufizuar vetëdijshëm në dhënien e informatave mbi vrasësin dhe motivin e tij me qëllim që të mos e ngarkojnë veten e tyre. Sot, përveç deliktit të vrasjes, deliktet e tjera janë parashkruar. Policia e Kantonit të Cyrihut i rifillon sërish hetimet për këtë rast dhe për informacione relevante gjyqësore ka caktuar shpërblimin prej 10’000 frangash.
Thirrje dëshmitarëve
Personat nga rrethi i atëhershëm i pjesëmarrësve, me njohuri mbi aktin dhe motivin, luten të vihen në lidhje me Policinë e Kantonit të Cyrihut, e-mail kripo@kapo.zh.ch. Për informacione të vlefshme gjyqësore mbi autorin e vrasjes, është vendosur shpërblimi prej 10’000 Fr.