Mariupoli akoma i paarritshëm për Kryqin e Kuq

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) ka thënë se ende nuk është në gjendje të dërgojë ndonjë ndihmë për Mariupolin e rrethuar, pasi kërkon që Rusia dhe Ukraina të garantojnë kalimin e sigurt.
“Palët duhet të jenë garantuesit dhe të kenë një marrëveshje për të lejuar kalimin e sigurt. Ata duhet të publikojnë rrugën dhe të lënë shumë kohë për njerëzit që të dalin jashtë”, tha për BBC zëdhënësi i KNKK-së, Matt Morris.
“Ne nuk kemi një ekip që është në gjendje për të hyrë aktualisht” tha ai.
Sipas tij, e drejta ndërkombëtare humanitare u lejon njerëzve të largohen, por nuk i detyron ata të bëjnë këtë.
Shumë banorë të Mariupolit janë strehuar në bodrume për javë të tëra, pa ushqim, ujë dhe ilaçe.
Ukraina akuzon Rusinë se ka zhvendosur me forcë mijëra civilë nga qyteti i shkatërruar, nëpër zona të kontrolluara nga Rusia.
Moska ka mohuar të ketë detyruar civilët, por ka raportuar evakuime nën përcjelljen ruse.