75 Mall Live Search
11:42 / E Martë, 29 Mars 2022 / AR

Latifi prezanton 7 shtyllat e programit për transformimin e shëndetësisë kosovare

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi prezantoi sot para partnerëve që kontribuojnë në sektorin e shëndetësisë në Kosovë planin e MSh-së për transformimin e sektorit shëndetësor dhe projektet që janë duke u zhvilluar së bashku me partnerët dhe agjencionet e ndryshme ndërkombëtare.

Në hapje të këtij takimi, që koincidoi me një vjetorin e fillimit të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë, Ministri Latifi shprehu falënderimin e tij për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë proces si dhe donatorët, me përkrahjen e të cilëve kishte nisur vaksinimi një vit më parë në Kosovë.

Më pas, Ministri Latifi prezantoi shtatë shtyllat e programit të tij për transformimin e shëndetësisë kosovare, që janë: Digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore, përfshirë sigurimet shëndetësore; Kthimi i “trurit” të humbur dhe ruajtja e trurit shëndetësor që ekziston tani, përmes programeve konkrete në shëndetësi; Qendrat klinike të ekselencës dhe shërbimet e avancuara klinike; Kërkimet shkencore dhe krijimi i kapaciteteve hulumtuese; Proceset e akreditimit ndërkombëtar; Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve mjekësore dhe- Decentralizimi i sistemit spitalor dhe ri-organizimi i ShSKUK/QKUK.

Ministri Latifi ka prezantuar ndërhyrjet që duhet bërë me qëllim që të arrihen rezultatet e pritura për këto shtylla që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve njerëzore në shëndetësi dhe siguriumin e shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor cilësor.

“Përmbushja e këtyre objektivave është një proces i ndërveprimit midis hallkave të sistemit shëndetësor, rritjes së përgjegjësisë dhe performancës dhe bashkëpunimit të mirë me partnerët”, tha Ministri Latifi.

Ministri Latifi e vlerësoi gjithashtu si shumë të rëndësishëm krijimin e Qendrës së Traumës si dhe avancimin e infrastrukturës dhe teknologjisë mjekësore, me qëllim që profesionistët shëndetësor të kenë kushte sa më të mira pune dhe të avancojë profesionalisht.

Z. Massimiliano Paoluci, menaxher i vendit për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut në regjionin e Evropës dhe Azisë Qendrore i Bankës Botërore përshëndeti iniciativën e diskutimit të programit me partnerët dhe shprehu gatishmërinë e donatorëve për të kontribuar në përmirësimin e kapaciteteve dhe treguesve shëndetësor në Kosovë.

Në këtë takim, partnerët/donatorët kanë shpalosur projektet e tyre që janë duke i zhvilluar në shëndetësinë kosovare dhe planet për bashkëpunimin e mëtejmë.