Komuniteti LGBTQ në Kupën e Botës nuk do “lejohet” të valvitë flamurin

Polemikat rreth Katarit, vend ku do të zhvillohet Kupa e Botës 2022 janë ndezur përsëri. Këtë herë në fokus është komuniteti LGBTQ.
Gjenerali, Abdulaziz Abdullah al-Ansari, president i Komitetit Kombëtar Kundër Terrorizmit në Ministrinë e Brendshme dhe udhëheqës i sigurisë së Katarit, deklaroi se flamujt e ylberit që janë në favor të lëvizjes LGBTQ mund të ndalohen në Kupën e Botës.
“Nëse një fans do të ngrejë flamurin e ylberit dhe unë ia heq, nuk është sepse unë e dua vërtet. Nuk është një fyerje, por një gjest për ta mbrojtur atë, sepse nëse nuk e bëj këtë, dikush tjetër përreth mund ta sulmojë”, tha gjenerali sipas raportimeve të “The Times”.
“Nuk mund të garantoj për sjelljen e njerëzve të tjerë. Unë do t’i them atij, ‘Të lutem, nuk ka nevojë ta ngremë atë flamur këtu në stadium. Ju dëshironi të tregoni mendimin tuaj për situatën, bëjeni në një shoqëri ku do të pranohet”.
“Personi bleu një biletë për të parë ndeshjen, jo për të ardhur në stadium e për të bërë një gjest politik apo për të mbrojtur një ideal të tij”.
“Të rezervojnë dhomën së bashku, të flenë bashkë, kjo është diçka që nuk na shqetëson. Ne jemi këtu për të drejtuar turneun. Le të mos shkojmë më tej. Ne nuk mund të ndryshojmë ligjet këtu. Ju nuk mund ta ndryshoni fenë tuaj për 28 ditët e Kupës së Botës”, vijoi al-Ansari.