75 Mall Live Search
12:49 / E Shtunë, 09 Prill 2022 / MSH

Krasniqi i lumtur me vendimin e Gjykatës: Kurti zgjodhi ta dyfishojë çmimin e energjisë elektrike, duke ju vendosur haraç qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se është i lumtur me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila miratoi kërkesën e PDK-së për të pezulluar vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Partia Demokratike e Kosovës e ka kundërshtuar vendimin e padrejtë të sinkronit Qeveri-ZRRE, për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe jam shumë i lumtur që Gjykata Themelore në Prishtinë e ka miratuar kërkesën tonë për masë të përkohshme që pezullon këtë vendim deri në marrjen e vendimit përfundimtar” ka shkruar Krasniqi në Facebook.

I pari i PDK-së ka thënë se për një gjë të tillë, PDK është munduar të ndërgjegjësojë qeverinë, por që kryeministri Kurti dhe mazhoranca nuk kanë pasur kurajo të përballën me këtë krizë.

“Ne jemi përpjekur me kohë që ta ndërgjegjësojmë qeverinë për krizën energjetike, por as Kryeministri Kurti e as mazhoranca nuk kanë pasur kurajo për të marrë përgjegjësi përballë krizës. Ata thjeshtë zgjodhën ta dyfishojnë çmimin e energjisë elektrike, duke ju vendosur një haraç qytetarëve, pikërisht në kohën kur çmimet e produkteve esenciale janë rritur dhe kostoja e jetesës është bërë shumë e rëndë” shtoi ai.

Krasniqi tha gjithashtu se do të vazhdojnë të ndjekin ligjërisht këtë gjë, kundër vendimit të padrejtë të Qeverisë dhe ZRRE-së, i cili, sipas tij, është në kurriz të familjeve dhe qytetarëve të Kosovës.

Më herët, PDK njoftoi se ka fituar betejën ligjore ndaj ZRrE-së dhe Qeverisë Kurti, për ta parandaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët e Republikës së Kosovës