Ministri Çeku paralajmëron se do ta çojë FFK-në në gjykatë dhe mund t’ia heqë licencën

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka njoftuar se ministria e tij është duke e rishikuar procesin zgjedhor kontrovers të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ai madje ka paralajmëruar se do ta dërgojë çështjen në gjykatë dhe se FFK-ja do ta humbë licencën nëse gjykata gjen se ajo e ka shkelur ligjin gjatë procesit.
Ministria e Sportit e kishte akuzuar FFK-në për shkeljen e ligjit për sport dhe të vetë Statutit të federatës duke i shpallur zgjedhjet për datën 6 prill, në të cilat Agim Ademi u rizgjodh president për një mandat të dytë katërvjeçar.
Sidoqoftë, në këtë Kuvend Zgjedhor, 15 delegatë që mbështetën Gramoz Vokrrin (kandidatit që iu mohua aplikimi nga KE), e bojkotuan Kuvendin dhe paralajmëruan edhe largimin nga garat nëse nuk reagon MKRS.
Për këtë çështje dhe disa të tjera, Çeku ka treguar qëndrimin e MKRS, në një intervistë për “Kanal 10”.
Ministri ka bërë me dije që kanë pranuar përgjigje nga FFK-ja dhe janë duke i shqyrtuar, por në rast që nuk bindën, atëherë do t’i dërgojnë në gjykatë.
“Pozicioni i Ministrisë është i rregulluar brenda klubeve, përfshirë edhe normave të sportit. Ne kemi pasur komunikim zyrtar me FFK-në, i kemi njoftuar mbi vendimet tona ligjore rreth shpalljes së zgjedhjeve dhe rreth procesit që ka përfundu sipas FFK-së në Kuvendin e tyre zgjedhor. Kemi disa shqetësime dhe kemi kërkuar sqarime nga Federata dhe kemi pranuar përgjigjet e tyre dhe tashmë po besoj që pasi përfundojë Kuvendi Zgjedhor, ne jemi duke përgatit pozicionin tonë përfundimtar, që ndoshta mund të përfundojë në gjykatë”.
“Po i shqyrtojmë përgjigjet, po analizojmë procesin e Kuvendit Zgjedhor dhe të gjitha këto nëse nuk na bindin që ka qenë nëpër rregullat e ligjit të sportit, ne këtë lëndë e dërgojmë në gjykatë, që pastaj do ketë vendim përfundimtar mbi FFK-në”, tha fillimisht ai.
Tutje, Çeku foli për letrën që e pranoi nga opozita, të cilët bojkotuan Kuvendin Zgjedhor.
“Letra nga opozita? Jemi duke i bërë të gjitha, e kuptojmë shqetësimin e këtyre delegatëve. Unë besoj që klubet dhe delegatët kanë të drejtë ta dërgojnë këtë çështje në gjykatë, mirëpo ata nuk mund të presin ndihmë nga ne sepse ne nuk i ndihmojmë, por e këqyrim ligjshmërinë”.