Kurti: Duhet të jemi të vëmendshëm për rreziqet që mund të nxis dëshpërimi i Putinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur pas takimit në Prishtinë me zyrtarët e lartë amerikanë. Ai tha se me delegacionin amerikan të udhëhequr nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried biseduan për thellim të bashkëpunimit në mes të dy vendve.
I pari i ekzekutivit tha se Kosova do të jetë gjithmonë krah SHBA-së derisa kërkoi integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO.

Kurti kujtoi se Serbia nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, veprim ky i cili sipas Kurtit s’duhet mirëkuptuar.
“Edhe sot folëm për sukseset e shtetit të Kosovës dhe rolin dhe kontributin e madh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta japin në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë. Biseduam për arritjet e qeverisë sonë gjatë vitit të parë dhe rëndësinë e bashkëpunimit më të thelle në mes të dy vendeve tona, sidomos në fushën e ekonomisë, të mbrojtjes dhe të sigurisë”, tha Kurti.
“Dje u bënë dy muaj prej që kur nisi invazioni dhe agresioni i pa provokuar dhe pa justifikuar i Federatës Ruse ndaj Ukrainës. Kjo luftë që shumë liderë vendesh nuk e prisnin të ndodhnin, po zgjat shumë më gjatë se që agresori e priste të ndodhte. Derisa e mbështesim dhe e shohim me admirim rezistencën e popullit ukrainas, ne duhet të mbetemi të vëmendshëm për rreziqet që mund të nxis dëshpërimi i Putinit despotik”, shtoi ai.

“Reagimi dhe rreshtimi i Republikës së Kosovës me SHBA me BE dhe Mbretërinë e Bashkuar ka qenë i menjëhershëm. Një rreshtim i tillë është vlerë, orientim dhe aleancë. Përveç sanksioneve që i kemi vendosur Federatës Ruse, kemi treguar solidarizim me popullin dhe shtetin e Ukrainës. Kemi shprehur gatishmërinë për të pranuar deri në pesë mijë refugjatë nga Ukraina dhe tashmë kemi mirëpritur gazetaren e parë ukrainase e do të mirëpresim edhe të tjerë”, shtoi ai.
