Bastisje në lagjen e boshnjakëve/ Policia kërkon dy të dyshuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale

Policia e Kosovës është duke kryer një bastisje në lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës.
Aty po kërkohen dy persona të dyshuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale. Të dyshuarit nuk janë gjetur në lokacionin e bastisjes por policia u ka lënë ftesë për tu paraqitur në stacion të policisë.
Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Policia e Kosovës, në këtë rast departamenti i hetimeve ka realizuar një operacion policor në Mitrovicë, konkretisht në lagjen e Boshnjakëve. Gjatë këtij operacioni policorë është kryer bastisje në një lokacion. Nuk raportohet për të arrestuar, përderisa dy personave iu është lënë ftesë për paraqitje në Policinë e Kosovës, mbi dyshimin e bazuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale”, ka thënë Kelani.
Gjatë ditës janë shtuar forcat e policisë edhe në pikat kufitare pasi sot në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.
Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve./IndeksOnline/