75 Mall Live Search
21:42 / E Shtunë, 30 Prill 2022 / OSH

Çmimet e reja të produkteve nga 30 prilli në Shqipëri

Bordi i transparencës dhe monitorimit të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to, vendosi çmimet e reja për produktet: miell, vaj luledielli, sheqer dhe oriz kokërrgjatë.

Pas analizimit të marzheve, Bordi i Transparencës vendosi që këto produkte duhet t’i ofrohen konsumatorit familjar në markete me çmime jo më të larta se: 109 lekë/kg për orizin kokërrgjatë (1 kg); 121 lekë/kg për sheqerin (1 kg); 381 lekë/litër për vajin e lulediellit dhe 79 lekë/kg për miellin masiv.

Bordi i Transparencës vendosi miratimin e marzheve që do të aplikohen për disa produkte ushqimore bazë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e çmimeve ndërkombëtare.

Për artikullin oriz kokërrgjatë (1 kg i paketuar) marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë është 11.7 % mbi koston e zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 11 lekë/kg.

Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të orizit kokërrgjatë të paketuar në vend nga distributori, është 3.8 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

Për artikullin sheqer (1 kg) marzhi i tregtimit të sheqerit nga importuesi (i papaketuar), është 3.8 % mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg. Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të sheqerit, i cili realizon ambalazhimin e produktit të paketuar në vend, është 7.3 % mbi çmimin e blerjes së produktit të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 12 lekë/kg.

Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të sheqerit, është 3.4 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “b” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

Për artikullin vaj luledielli marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të vajit të lulediellit të paketuar në vend nga distributori, është 10.3 % mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 35 lekë/litër.

Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të vajit të lulediellit, është 1.6 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 6 lekë/litër.

Për miellin masiv marzhi i tregtimit për produktin mielli masiv për prodhimin e bukës, i tregtuar nga përpunuesi i grurit, është 33.9 % mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit grurë, përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 19 lekë/kg.

Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të produktit miell masiv i ambalazhuar, është 5.3 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

Ky vendim hyn në fuqi nga sot dhe është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë produktet e përcaktuara në këtë vendim.