Kush janë kryesit e masakrës më të madhe në Kosovë?

Para dy jave është shënuar përvjetori i 23-të i masakrës së Mejës. Liderët e vendit duke e dënuar krimin që bënë forcat serbe në Rekën e Keqe dhe në Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës, kërkuan drejtësi për masakrën që mori jetën e 376 meshkujve shqiptarë, raporton IndeksOnline.
23 vjet pas kryerjes së krimeve, dje erdhi një njoftim se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka nisur hetimet për këtë masakër dhe tashmë janë identifikuar një numër i madh i kryerësve të këtij krimi si dhe të atyre që dhanë urdhrin dhe organizuan këtë krim.
Prokurorja e Shtetit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Drita Hajdari, njëherësh udhëheqëse e Departamentit të Krimeve të Luftës, së bashku me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, kanë bërë shikimin e vendit të ngjarjes në lidhje me masakrën e Mejës.
Provat e siguruara
Të mërkurën, ekipi i udhëhequr nga Prokuroria Speciale, kanë shikuar dhe lokalizuar vendet ku janë kryer krimet, si dhe kanë siguruar provat e nevojshme lidhur me këtë krim.
Prokurorja, Drita Hajdari, gjatë vizitës në Mejë, saktësoi se sipas informatave aktuale, në këtë masakër “janë vrarë 376 persona. Shumica e mbetjeve mortore janë gjetur, ndërsa disa persona janë ende të zhdukur”.
Gjithashtu, prokurorja Hajdari potencoi faktin se “gjatë operacioneve ushtarake dhe policore të ushtrisë jugosllave, përveç vrasjeve të shumta janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale, si djegia e shtëpive dhe plaçkitja e popullsisë civile si dhe dëme tjera materiale”.

Prokurorja speciale edhe kësaj radhe sqaroi se misioni EULEX ishte përgjegjës për procedimin e krimeve të luftës.
“EULEX ka filluar hetime për këto krime dhe në një moment janë pezulluar ato. Edhe pse rastet e krimeve të luftës ishin në kompetencë të PSRK-së, një kohë të gjatë ligji nuk lejonte të rihapeshin hetimet. Mirëpo, me ndryshimin e fundit të Ligjit për gjykim në mungesë, na është mundësuar rihapja e hetimeve dhe tani jemi këtu në vendin e krimit, me policinë dhe forenzikën, për të lokalizuar vendet ku janë kryer krimet dhe për t’i siguruar provat e nevojshme”, theksoi ajo duke shtuar se deri më tani janë dëgjuar 126 dëshmitarë, ndërsa pritet të dëgjohet edhe një numër i madh dëshmitarësh të tjerë.
20 të pandehurit
Por misioni i EULEX-it, 9 vjet më parë (24 prill 2013) kishte lëshuar njoftimin e fundit përkitazi me zhvillimin e hetimeve të kësaj masakre.
Në njoftim ndër të tjera thuhej se prokurorët, sipas EULEX-it, kanë identifikuar përafërsisht 20 të pandehur, të cilët mund të jenë subjekt i akuzave për Krime të Luftës kundër popullatës civile, duke përfshirë edhe vrasjen e 372 viktimave gjatë një sulmi të kryer kundër popullatës civile shqiptare, transmeton IndeksOnline.
“Shumica e viktimave ishin zhvarrosur nga varreza masive në Batajnicë, Serbi. Masakra e Mejës dhe e rrethinës pretendohet të jetë vrasja më e madhe masive që ndodhi gjatë vitit 1999 në Kosovë”, thuhej në njoftimin e EULEX-it.
Masakra e Mejës është një prej masakrave më të rënda që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, dhe si e tillë paraqet një rast shumë kompleks, i cili kërkon shumë punë dhe përkushtim për të dokumentuar krimin dhe për t’i sjellë kryesit para drejtësisë.

Thirrja e liderëve për drejtësi
Dy javë më parë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve, e cila përkon me datën e Masakrës së Mejës ka theksuar se kjo Ditë është përkujtim, pritje e ankth për familjarët dhe shtetin e Kosovës.
“Janë mbi 1600 të zhdukur me dhunë, thirrja jonë për drejtësi, e cila do të vihet në vend kur para saj do të dalin autorët e krimeve dhe do të zbardhet fati i secilit nga njerëzit tanë. Duam dhe do të insistojmë të dijmë për fatin e tyre.
Ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca po atë ditë tha se: “Dhimbja është shumë e mëdha për shkak të humbjes së 376 martirëve, sidomos e familjarëve që i kanë humbur më të dashurit e tyre, por lëndimi është edhe më i madh, meqenëse drejtësi të vërtetë nuk ka pasur kurrë për të rënët e Mejës”.
Para familjarëve të martirëve të Mejës, kryekuvendari Konjufca tha se nuk do të ndalen derisa drejtësia të vihet në vend për të gjitha krimet e Serbisë në Kosovë.
Si ndodhi masakra?
Më 27 prill 1999 forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.
Në një operacion të planikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.
Grumbullimi i meshkujve në grupe nga mosha 15-60 vjeçare filloi në orët e hershme të mëngjesit, në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës duke i ekzekutuar të gjithë meshkujt shtëpi për shtëpi.
Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Millosheviqit më 27 prill 1992. Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja./IndeksOnline/