Tahiri: Vendimi i Gjykatës së Apelit vërtetoi se kërkesa jonë për të mos ngritur tarifat e energjisë elektrike ishte e drejtë

Shefi i deputetëve të AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Besnik Tahiri, në seancën e sotme të Kuvendit u shpreh se Qeveria e Kosoves tash e një vit vazhdon të prodhojë kriza, si në nivelin politik dhe në atë ekonomik, e mbi të gjitha vazhdon të krijojë krizë të mirëqenies se qytetarëve të Kosovës dhe t’i varfërojë ata.
Tahiri tha se edhe pas shumë kërkesave të qytetarëve dhe të deputetëve të opozitës, Qeveria Kurti ndërmorri vendime antiligjore dhe antikushtetuese.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit për shfuqizim të vendimit për rritjen e tarifave, vërtetoi se kauza jonë për të mos ngritur tarifat e energjisë elektrike ishte e saktë dhe e drejtë.
“Tani kemi një dëm jashtëzakonisht të madh. Keni ndarë 100 milionë euro nga Buxheti i vendit i cili ka mundur të dedikohet për investime kapitale përderisa qytetarët janë obliguar të paguajnë më shumë tarifa, për të cilat çdo cent do duhej t’i kthehej qytetarëve”, tha ai.
“81 mijë punëtorë të sektorit publik kërkojnë veprime nga Qeveria, ndërkaq asnjë shenjë nuk ka nga kjo qeveri se kur do të sjellet në Kuvend ky ligj. Është tepër me rëndësi që ligji për Trustin të vie në Kuvend dhe qytetarëve t’i mundësohet terheqja e një pjese të kursimeve te tyre”, përfundoi Tahiri.