75 Mall Live Search
20:07 / E Mërkurë, 01 Qershor 2022 / LB

A mund të krijohet sërish “Ekipi i Unitetit” për të përmbyllur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë?

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka mbledhur një ditë më parë “Ekipin e Unitetit”, që kishte marrë pjesë në bisedimet e Vjenës gjatë viteve 2006-2007.

Në këtë takim, ai ka thënë se është diskutuar edhe për të kaluarën, udhëheqjen e Marti Ahtisaarit dhe arritjet e Kosovës ndër vite.

Por, sa ka gjasë që të krijohet sërish një “Ekip i Unitetit”, për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Krer të partive politike në Kosovë, por edhe njohës të çështjeve politike, në vazhdimësi kanë bërë thirrje për krijimin e një ekipi të tillë, ku do të përfshiheshin të gjitha partitë parlamentare në Kosovë, si mundësi e vetme për të arritur konsensusin e nevojshëm për të përmbyllur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Përkitazi me këtë temë, Indeksonline ka biseduar me disa nga anëtarët që ishin pjesë e takimit të djeshëm, por nuk kanë preferuar të flasin për këtë çështje, duke thënë se për këtë temë duhet të bisedohet me Qeverinë.

Në anën tjetër, Enver Hoxhaj nga PDK sot ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se uniteti politik bëri fuqinë dhe solli pavarësinë e Kosovës në vitit 2008.

Në bisedimet e Vjenës ishte biseduar për statusin final të Kosovës. Këto bisedime i paraprinë shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008./Indeksonline/