75 Mall Live Search
20:42 / E Enjte, 02 Qershor 2022 / OSH

Osmani takon Komisioneren për të Drejta të Njeriut në Këshillin e Evropës, kërkon që Kosova të antarësohet në KE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani -Sadriu, ka pritur në takim Komisioneren për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, znj. Dunja Mijatoviq. Në takim me Komisioneren Mijatoviq, Presidentja Osmani ka përmendur progresin e institucioneve të vendit në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë, duke përfshirë kornizën kushtetuese dhe ligjore, e cila është shumë e avancuar dhe plotësisht e harmonizuar me të gjitha konventat ndërkombëtare.

Presidentja Osmani dhe Komisionerja Mijatoviq kanë diskutuar edhe për përpjekjet e vazhdueshme të shtetit tonë në luftimin e dhunës në familje, avancimin e të drejtave të grave dhe komuniteteve joshumicë dhe avancimin e sundimit të ligjit.  Presidentja Osmani po ashtu e ka njoftuar Mijatoviq për të gjitha veprimet insitucionale për fuqizimin ekonomik të grave, si dhe angazhimin që është duke u bërë në përkrahje të kategorive të margjinalizuara të shoqërisë.

Presidentja Osmani ka përmendur edhe rëndësinë që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës si hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut, duke theksuar se Kosova është mishërim i vlerave, të cilat i përfaqëson Këshilli i Evropës.