Kurti: Kosova mund të jetojë e të lulëzojë edhe pa njohjen nga Serbia

“Njohja nga Serbia është gjithmonë e mirëseardhur dhe sa më shpejt të vijë aq më mirë për të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor. Por, Republika e Kosovës sigurisht që mund të jetojë dhe të lulëzojë edhe pa të”.
Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti të martën, gjatë një fjalimi në Oxford Union.
Sipas tij, ndryshimi progresiv në politikën serbe është diçka që vetëm populli serb mund ta sjellë, por që ka mënyra se si mund të ndihmohet edhe nga jashtë.
“Si kryeministër i Kosovës, unë mund ta ndihmoj një ndryshim të tillë duke dëshmuar se republika jonë mund të lulëzojë pavarësisht nga mosnjohja e pavarësisë sonë nga Serbia. Një Kosovë e fortë dhe prosperuese do ta ndihmojë popullin serb dhe elitën e tij politike të kuptojë se një politikë miqësie ndaj nesh u shërben interesave të tyre shumë më mirë”, ka deklaruar Kurti, njofton Qeveria e Kosovës.
“Kjo është arsyeja pse qeveria ime po fokusohet në zhvillimin e ekonomisë sonë, reformimin e sistemit tonë të drejtësisë dhe forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse. Për të qenë i sigurt, unë mbetem i përkushtuar ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja me lidershipin aktual të Serbisë”.