75 Mall Live Search
15:14 / E Mërkurë, 08 Qershor 2022 / LB

Abdixhiku deklarohet pas takimit me ambasadorin amerikan ku mori pjesë e gjithë kryesia e LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se me ftesën e tij, ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovernier, ka zhvilluar një sesioni bashkëbisedimi me zyrtarë të lartë të këtij subjekti, që fokus të angazhimit kanë politikën e jashtme, zhvillimin ekonomik e integrimin euro-atlantik.

Abdixhiku ka thënë se me ambasadorin Hovernier biseduan për temat me interesa nacional për Kosovën dhe partneritetin strategjik të vendit me ShBA-të.

“Shpreha qartë qëndrimin e LDK-së se Kosova duhet të marrë përgjegjësitë e saj në avancimin e agjendës euro-atlantike dhe marrjes së vendimeve me interes nacional për vendin. LDK do të kujdestarojë relacionet strategjike me ShBA-të në të gjitha etapat e ardhshme zhvillimore të Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Abixhiku.

Indeksonline ka raportuar sot ekskluzivisht për këtë takim të mbajtur në selinë e LDK-së.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

Sot, me ftesë timen, ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka zhvilluar një sesion bashkëbisedimi me zyrtarë tanë, që fokus të angazhimit kanë politikën e jashtme, zhvillimin ekonomik e integrimin euro-atlantik.

Me ambasadorin Hovenier biseduam për temat me interes nacional për Kosovën dhe partneritetin strategjik të vendit me ShBA-të. Me theks të veçantë, në këtë sesion u shtruan temat e proceseve integruese të Kosovës; dialogut të fasilituar nga BE; zhvillimit ekonomik e energjetik të Kosovës, qeverisjen e mirë, reformat në drejtësi si dhe partneritetin për mbrojtje e avancim të FSK-së.

Duke e falënderuar ambasadorin Hovenier për mbështetjen që ShBA-të i kanë dhënë Kosovës në të gjitha etapat historike, shpreha përkushtimin e LDK-së për avancimin e partneritetit jetik që Kosova ka me ShBA-të. Shpreha qartë qëndrimin e LDK-së se Kosova duhet të marrë përgjegjësitë e saj në avancimin e agjendës euro-atlantike dhe marrjes së vendimeve me interes nacional për vendin. LDK do të kujdestarojë relacionet strategjike me ShBA-të në të gjitha etapat e ardhshme zhvillimore të Kosovës.

Ambasadori Hovenier shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e administratës amerikane për të mbështetur Kosovën në sfera jetike të vendit.