Kancelari Scholz injoron “Open Balkan”, njofton nga Kosova “rijetësimin” e Procesit të Berlinit

Kancelari gjerman Olag Scholz ka deklaruar se do të punojë për rijetëzimin e Procesit të Berlinit, brenda vitit të ardhshëm.
Gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, teksa ky i fundit i ka kërkuar një gjë të tillë, duke i bërë thirrje njëkohësisht vendeve të rajonit t’i bashkohen kësaj nisme, Scholz premtoi se diçka e tillë do të ndodhë gjatë qeverisjes së tij.
“Në kuadër të Procesit të Berlinit për të cilën diskutuam, do ta rijetësoj atë këtë vit dhe në vjeshtë do t’ju ftoj në një takim. Me rëndësi për Kosovën është që dialogu të ecë para me Serbinë. Edhe liberalizimi i vizave me Kosovën duhet të shkojë përpara”, u shpreh Scholz.
Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel për të lehtësuar bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor tre prej të cilave tashmë janë bërë pjesë iniciativës “Open Balkan”, përkatësisht Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.