75 Mall Live Search
10:03 / E Hënë, 13 Qershor 2022 / MSH

Musliu-Shoshi kritikon Donika Gërvallën që s’e përmendi UÇK-në për ditën e çlirimit: Është fatkeqësi që nga këta qeveritarë presim mbrojtjen e çlirimtarëve!

Deputetja nga radhet e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, pasi kjo e fundit nuk përmendi luftën e UÇK-së, vetëm atë të KFOR-it dhe NATO-s, me rastin e Ditës së Çlirimit.

“Nën petkun e zëvendeskryeministres dhe ministres së jashtme të Kosovës është e dhimbshme dhe e çuditshme të urosh popullin shqiptar për ditën e çlirimit pa falënderuar gjakun e dëshmorëve të UÇK-së e pa e çmuar jetën e saktificën e atyre pjestarëve që janë gjallë e liderëve të UÇK-së në luftë e paqe që sot padrejtësisht janë në Hagë” shkroi Musliu-Shoshi në Facebook.

Tutje, ajo tha se është fatkeqësi që të pritet mbrojtje e luftës së UÇK-së dhe dënim të Serbisë, përderisa Qeveria ka qëndrime të tilla.

“Është fatkeqësi që me qendrim të tillë të qeverisë presim mbrojtjen e drejtë të luftës së UÇK-së, denimin e Serbisë për gjenocidin në Kosovë, e trajtimin me dinjitet të veteranëve!” shtoi deputetja e PDK-së.