Deputetët e pozitës futen në sallë, PDK e bojkoton seancën

Kanë filluar të hyjnë në sallën e Kuvendit deputetët e pozitës për të përfunduar pikat që mbetën nga seancat e kaluara.
Por, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi pak më parë njoftoi se ata nuk do të marrin pjesë në këtë seancë.

Ai thotë se nuk marrin pjesë pasi në ligjin për pagën minimale nuk përfshihen veteranët e UÇK-së.
Krasniqi tha se injorimi i veteranëve nga Qeveria Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje është turp i madh, pjesë e të cilit Partia Demokratike e Kosovës nuk do të bëhet kurrë dhe do ta kundërshtoj fuqishëm.

“Propozimet tona kanë qenë që paga minimale të jetë në nivelin e tillë, që të mundësojë mbulimin e nevojave elementare për punëtorët dhe familjet e tyre, gjë që nuk është as për së afërmi e kënaqshme me propozimin e qeverisë që e ka sjellë me projektligjin aktual e që është sot në rend të ditës. Por në vend se të fokusoheshim për të shqyrtuar mundësitë dhe për të ndërtuar një politikë të mirëfilltë që përmes përcaktimit të pagës minimale të arriheshin disa objektiva sociale, qeveria e ka devijuar komplet debatin duke vendosur njëanshëm dhe në mënyrë të turpshme, që të përjashtojë kategoritë e veteranëve të UÇK-së nga ky ripërcaktim i pagës minimale.”, tha Krasniqi.
Lideri i PDK-së ia kujtoi Qeverisë Kurti se veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë më meritorët për lirinë tonë, dhe se shteti ynë e pavarësia jonë e ka në themel luftën për liri të këtyre burrave e grave që kanë rrezikuar jetën dhe kanë lënë pjesët e trupit nëpër vija të frontit./Indeksonline/






