75 Mall Live Search
15:40 / E Martë, 14 Qershor 2022 / k.v

Drenasi kremton 14 qershorin, Ditën e Çlirimit

Më rastin e shënimit të 23 vjetorit, Ditës së Çlirimit të Komunës së Drenasit, është mbajtur Seanca Solemne e Kuvendit të Komunës dhe janë bërë homazhe ne të gjitha varrezat e dëshmorëve.

Fillimisht janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Marinë, ku pas kësaj është vazhduar nëpër gjitha lokalitetet tjera të varrezave të Komunës së Drenasit.

Pas homazheve në varrezat e dëshmorëve, janë përkujtuar dëshmorët edhe në sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas, duke përkujtuar kështu veprat e lavdishme të të gjithë të rënëve për lirinë e vendit.

Në sheshin “Fehmi Lladrovci” për homazhe mori pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi me bashkëpuntorë.

Pas homazheve u mbajt Seanca Solemne e Kuvendit Komunal të Drenasit, ku merrnin pjesë kryetari Lladrovci, nënkryetari Shala, kryesuesi i Kuvendit, Milaim Hajdari, anëtarë të Kuvendit Komunal, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të bashkësive fetare, përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe qytetarë të tjerë.

Seanca është udhëhequr nga kryesuesi Hajdaraj, i cili duke përshëndetur të pranishmit, theksoi rëndësinë e kësaj date që zë vend të veçantë në mbamendjen e gjithësecilit nga ne, që përjetoi agresionin e okupatorit serb.

Kryetari Lladrovci në një fjalë përshëndetëse, duke falenderuar për pjesëmarrje gjithë të pranishmit dhe me theks të veçantë prindërit dhe familjarët e dëshmorëve, përfaqësuesit e bashkësive fetare, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, tha se kryefjala e çdo feste janë dhe duhet të jenë gjithmonë dëshmorët. Kryetari Lladrovci nuk la pa përmendur edhe ish-udhëheqësit e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati dhe gjithë të tjerët që po akuzohen padrejtësisht nga ata që nuk u ndalen t’i luftojnë edhe pasi humbën luftën. Lladrovci tha se edhe kjo që ata sot po përballen është luftë për shtetndërtimin e vendit, është luftë që nuk kishte mbaruar me okupatorin dhe agresorin serb.

Në sheshin “Fehmi Lladrovci” në kuadër të homazheve kanë parakaluar edhe Ushtria e Kosovës, të cilët i përshëndeti kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit të cilët flijuan jetët e tyre për lirinë e Kosovës!

Urime gjithë qytetarëve të Komunës së Drenasit, Dita e Çlirimit!