75 Mall Live Search
21:59 / E Hënë, 20 Qershor 2022 / LB

Dënohet me burg Samuel Eto’o

Samuel Eto’o është dënuar me 22 muaj burg me kusht për mashtrim tatimor prej mbi 3 milionë funte.

Sipas “Sport”, ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Interit e pranoi fajin, por pretendon se ai ishte viktimë e manipulimit nga ish-agjenti i tij Jose Maria Mesalles.

Mashtrimi lidhet me dështimin e Eto’o për të deklaruar të ardhurat që rrjedhin nga transferimi i të drejtave të imazhit te kompania “Puma” dhe Barcelona në deklaratën e tij të tatimit mbi të ardhurat personale midis viteve 2006 dhe 2009.

Në vend të kësaj, ai tatoi të drejtat e imazhit përmes dy kompanive, një në Hungari dhe një në Spanjë.

Në një deklaratë, 41-vjeçari tha se do t’i kthente të gjitha paratë, por kërkoi të ngarkonte përgjegjësinë mbi Mesalles, të cilin ai e shihte si baba në kohën e shkeljeve.

“Ishte babai im ai që u kujdes për fëmijën që isha atëherë”, tha Eto’o. “Unë do të paguaj, por gjithmonë kam bërë atë që babai im më tha se duhet të bëja.”

Eto’o ishte 25 vjeç në kohën e këtyre shkeljeve dhe ishte në mes të periudhës së tij në “Camp Nou”.

“Sport” gjitashtu raporton se prokuroria kërkoi dënime me katër vjet e gjashtë muaj burg për Eto’o dhe Mesalles, përpara se të parit t’i jepeshin 22 muaj dhe të dytit një vit dënim. Duke qenë se nuk kanë precedentë të mëparshëm penalë, ata nuk do të vuajnë dënimin me burg.

Shtohet se ish-reprezentuesi i Kamerunit do të paguajë një shumë shtesë prej 1 milionë e 56 mijë funte në gjobë dhe Mesalles do të paguajë 776,000 funte.