Qeveria për marrëveshjen: Inkasimi do të bëhet nga “Elektrosever”, do kursehen miliona euro

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur detajet e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 të nënshkruara nga pala kosovare dhe ajo serbe.
Sipas qeverisë, udhërrëfyesi i dakorduar mes Kosovës e Serbisë do të mundësojë furnizimin, faturimin dhe inkasimin e pagesave për konsumin e energjisë elektrike në katër komunat veriore, atë të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës Veriore.
“Gjithashtu, po sipas marrëveshjes së vitit 2015, këto katër shërbime: vendosja e matёsve tё energjisё, mirёmbajtja e matёsve, faturimi dhe inkasimi do t’i nënkontraktohen operatorit Elektrosever, që do të liçensohet nga ZRRE. Bashkimi Evropian, do të monitorojë zbatimin e këtij dakordimi”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Tutje, në njoftim thuhet se me këtë marrrëveshje Kosovës do t’i kursehen dhjetëra miliona euro në vit, të paguar më herët për mbulimin e kostove energjetike për veriun e vendit.
