75 Mall Live Search
14:30 / E Mërkurë, 22 Qershor 2022 / k.v

Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, marrin pjesë në samitin e BE-së

Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, megjithatë do të marrin pjesë në samitin e BE-së në Bruksel.

Një ditë pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si pjesë e nismës për “Ballkanin e Hapur”, paralajmëruan se mund të mos marrin pjesë në këtë samit, nga Tirana e Beogradi vjen lajmi se ata kanë marrë vendim për të marrë pjesë.

Kjo, pas vendimit të Bullgarisë, për të pranuar heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut.

E pas këtij lajmi, kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin e BE-së që do të mbahet me 23 dhe 24 qershor.

“Sapo dëgjova që diçka po lëviz sot në Bullgari. Shumë herët për të qenë optimist dhe shumë pak për të ndryshuar pjesën e fjalimit të nesërm ku Bullgaria kritikohet si një vend që ka rrëmbyer dy vende të NATO-s, ndërkohë që ka një luftë të nxehtë në kufirin e Evropës!”, shkroi Rama në llogarinë e tij në Twitter.

Në këtë pjesëmarrje në samitin e BE, Rama cilëson se nuk do ta bëjë për të dëgjuar mendimet për Shqipërinë, pasi është i bindur se nuk do ketë ndryshime, por që Evropa të dëgjojë për nismën e ‘Ballkanit të Hapur’ që çon përpara frymën e Evropës.

“Ne do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE-së. Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian që ne mbështesim, për Ballkanin e Hapur dhe për rrëmbimin tonë nga Bullgaria që e shkatërron atë”, shkroi Rama.

Opozita bullgare ka vendosur të pranojë heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, por pritet ende që vendimi zyrtar të vendoset me votë në parlamentin bullgar mes qeverisë dhe opozitës.

Ky bllokim i Bullgarisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave për integrimin në BE, bëri që liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut të mendonin seriozisht bojkotimin e samit të BE.

Ndërkohë, edhe nga Beogradi zyrtar vjen një lajm i ngjashëm. Siç raportojnë mediat e vendit fqinj, presidenti Aleksandar Vuçiq ka thënë se pjesëmarrja e tre vendeve të “Ballkanit të Hapur” në këtë samit, do të tregojë përkushtimin për perspektivën evropiane.

“Pas konsultimeve të hollësishme dhe gjithëpërfshirëse me bashkëpunëtorët dhe anëtarët e qeverive, liderët e tre vendeve të ‘Ballkanit të Hapur’, vendosën të shkojnë nesër në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel”, citohet të ketë thënë Vuçiq./RTK/