ShBA, fillon mbyllja e klinikave të abortit

Klinikat kanë filluar të mbyllen në disa shtete amerikane pasi një vendim i Gjykatës së Lartë të premten hoqi të drejtën kushtetuese të grave amerikane për abort.
Rreth gjysma e shteteve pritet të vendosin kufizime ose ndalime të reja pasi gjykata anuloi vendimin e saj 50-vjeçar “Roe vs Wade”.
13 shtete kanë të ashtuquajturat ligje nxitëse që do të ndalojnë abortin brenda 30 ditëve, shkruan BBC.
Presidenti Joe Biden e përshkroi vendimin si “një gabim tragjik”.
Në Phoenix, Arizona, policia hodhi gaz lotsjellës pasi protestuesit pro-zgjedhjes goditën dyert dhe dritaret e kapitolit të shtetit.
Në Los Anxhelos, protestuesit bllokuan për pak kohë trafikun në një autostradë.
Protestat pritet të vazhdojnë gjatë ditës nëpër qytetet e vendit.
Vendimi u prit me ngazëllim nga aktivistët kundër abortit, jashtë gjykatës në Uashington, por protesta kundër vendimit do të mbaheshin në më shumë se 50 qytete në të gjithë ShBA-në.
Edhe pse një çështje përçarëse në ShBA, një studim i fundit i Pew zbuloi se 61% e të rriturve thonë se aborti duhet të jetë i ligjshëm gjatë gjithë kohës ose shumicën e kohës, ndërsa 37% mendojnë të kundërtën.